Familja Çelaj në Shkodër ka hapur dyert për të pritur miq dhe të afërm për ngjarjen e kobshme që ndodhi dje në fshatin Domën, ku nëna 24 vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur humbën jetën si pasojë e një zjarri që ra në shtëpinë e tyre të vjetër.
Bleona dhe dy vogëlushët, Amar dhe Anuar Çelaj mbetën të bllokuar në shtëpinë e vjetër të familjes, të cilën kishin planifikuar ta rindërtonin.
Nëna e re me bashkëshortin Besmirin dhe dy fëmijët e mitur, jetonin në Gjermani dhe në Shkodër kishin ardhur për të kaluar disa ditë nga pushimet e verës. Gjatë qëndrimit, ata kishin planifikuar dhe rindërtimin e shtëpisë së vjetër të familjes.

Njoftimi mortor i familjes Çelaj
Me origjinë, ata janë nga fshati Domën, por prej vitesh ishin zhvendosur në fshatin Golem të Shkodrës dhe shtëpia e parë ishte vjetëruar e ishte bërë e pabanueshme.
Siç shihet dhe nga njoftimi mortor, pasditen e sotme Bleona dhe dy fëmijët Amar e Anuar janë përcjellë për në banesën e fundit, ndërsa për 3 ditë me radhë dyert e zisë në familjen Çelaj do të jetën të hapur për të pritur miq e të afërm.
Ngjarja tragjike ka tronditur dy familjet Çobaj e Çelaj dhe mbarë opinionin publik, ndërsa autoritetet krahas mesazheve të ngushëllimit, kanë apeluar për kujdes të shtuar në këto ditë të nxehta, veçanërisht me pajisjet e gatimit.







