Hëna, e cila për miliona vite ka përballuar goditje të panumërta nga asteroidë dhe meteorë, pritet të përjetojë një tjetër përplasje, këtë herë të shkaktuar nga një objekt i prodhuar nga njeriu.
Sipas Qendrës për Studimet e Objekteve Pranë Tokës të NASA-s (CNEOS), pjesa e sipërme e një rakete Falcon 9 të kompanisë SpaceX pritet të përplaset me sipërfaqen hënore më 5 gusht.
Raketa ka udhëtuar në hapësirë me një shpejtësi prej rreth 2.43 kilometrash në sekondë, ose afërsisht 5,400 milje në orë. Bëhet fjalë për një pjesë të raketës së përdorur gjatë një lëshimi të SpaceX në janar të vitit 2025, e cila, sipas astronomëve të pavarur që analizuan të dhënat publike, ka përfunduar në një trajektore të paqëllimshme përplasjeje me Hënën.
NASA ka bërë të ditur se kjo ngjarje nuk paraqet asnjë rrezik për Tokën.
“Nuk ka asnjë rrezik për Tokën”, deklaroi zëdhënësi i NASA-s, Jimi Russell, duke shtuar se agjencia amerikane do të vazhdojë të monitorojë përforcuesin për qëllime studimore dhe trajnimi, si dhe do të vëzhgojë më vonë vendin e përplasjes për kërkime shkencore.
Astronomi Bill Gray, i cili zbuloi i pari trajektoren, thotë se objekti do të ulet pranë Kraterit Ajnshtajn, i cili ndodhet në pjesën e Hënës që merr dritën e ditës dhe është i dukshëm nga Toka. Ai parashikon se do të krijojë një krater me diametër më shumë se 17 metra.







