Serbia dhe Kroacia u përfshinë në akuza të ndërsjellta në 31-vjetorin e përkujtimit të Operacionit Stuhia. Kroatët festuan në Knin dhe zonën përreth atë që e konsiderojnë si Ditën e Fitores ndërsa për komunitetin serb ishte një ditë përkujtimi për viktimat.
Aleksander Vuçiç zgjodhi ceremoninë përkujtimore në Republikën Srpska në Bosnje Hercegovinë për të mbajtur atë që e konsideroi si fjalimin e tij të fundit si president duke hedhur akuza ndaj Kroacisë.
“A ka vendosur ndonjëherë ndonjë zyrtar kroat nga Zagrebi një lule në vendin e vuajtjeve serbe në Kroaci? Ata vranë popullin tonë ndërkohë që falë propagandës së huaj, ne u shpallëm fajtorë”, tha Vuçiç.
Vuçiç kritikoi udhëheqjen malazeze për delegacionin që dërgoi në Kroaci për të shënuar Operacionin Stuhia, në mënyrë që të përfitojë votën pro të Zagrebit për mbylljen e negociatave për pranimin në BE.
Pas akuzave të kreut të shtetit serb presidenti malazez Milatoviç u shpreh se politika shtetërore e përgjegjshme e një Mali të Zi qytetar dhe evropian nënkupton respekt për të gjitha viktimat e luftërave në ish-Jugosllavi, pa një qasje selektive.
Në ceremoninë festive kroate ku forcat e armatosura demostruan forcën presidenti Zoran Milanoviç tha se vendi i tij duhet që t’i kushtojë vëmendje armatosjes së Serbisë. Ai kritikoi
disa nga aleatët ushtarakë dhe politikë të Kroacisë, Francën, e cila vendosi t’i shiste Serbisë të njëjtat ose edhe versione më të përparuara të avionëve luftarakë që i kishte shitur më parë Kroacisë.
“Kur Serbia po armatoset nga disa nga aleatët tanë zyrtarë, ne na duhet që të pyesim: a është një lojë e ndershme? Vendi fqinj ishte sponsor i luftës dhe kur ne festojmë Ditën e Fitores e bëjmë në Knin. Knini nuk ishte zemra e rebelimit, ai erdhi nga Beogradi. Kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe përvojën tonë, Kroacia është e veçantë. Kroacia është e vetmja në BE, ushtria e së cilës udhëhiqet nga njerëz që në atë kohë ishin të rinj dhe luftuan pa kompromis”, tha Milanoviç.
Nga ana e tij Kryeministri Andrej Plenkoviç tha se Kroacia nuk po konkuron me askënd në armatime.
“Ne nuk kemi frikë nga askush. Po sigurojmë mjete parandaluese në mënyrë që t’i përgjigjemi çdo lloj kërcënimi ndaj territorin kroat, hapësirës ajrore dhe asaj detare. Jemi duke investuar në modernizimin e ushtrisë, nga avionët luftarakë Rafale dhe helikopterët Black Hawk tek tanket Leopard sistemet HIMARS e Bayraktar”, tha Plenkoviç.
Plenkovic njoftoi ndërtimin e një fabrike municionesh dhe zhvillimin e sistemeve pa pilot.







