Topi me të cilin Diego Armando Maradona shënoi dy nga golat më të famshëm në historinë e futbollit pritet të shitet për rreth 10 milionë dollarë në Shtetet e Bashkuara.
Shtëpia e ankandeve “Heritage Auctions”, në Teksas, do ta nxjerrë topin në ankand nga 21 deri më 23 gusht, me një ofertë fillestare prej 2.5 milionë dollarësh. Organizatorët e cilësojnë atë si një nga topat më historikë në historinë e futbollit, pasi u përdor në çerekfinalen e Botërorit 1986 mes Argjentinës dhe Anglisë.
Në atë ndeshje, Maradona e dërgoi fillimisht topin në rrjetë duke e goditur me dorë, por arbitri e konsideroi golin të rregullt. Pas përfundimit të takimit, ylli argjentinas deklaroi se goli ishte shënuar “pak me kokën e Maradonës dhe pak me dorën e Zotit”, duke i dhënë jetë një prej episodeve më ikonike të historisë së futbollit.
Vetëm pak minuta më vonë, me të njëjtin top, Maradona realizoi edhe atë që më pas u cilësua si “Goli i Shekullit”. Ai dribloi disa futbollistë anglezë përpara se të mposhtte portierin dhe të vuloste fitoren 2-1 të Argjentinës.
Argjentina vijoi rrugëtimin në turne dhe në fund u shpall kampione e botës.
Interesi për ankandin pritet të jetë i madh edhe për shkak të rekordit të vendosur nga fanella që Maradona veshi në atë ndeshje. Ajo u shit për 9.3 milionë dollarë, duke u bërë fanella më e shtrenjtë në historinë e futbollit.
Nëse topi arrin vlerën e parashikuar prej rreth 10 milionë dollarësh, ai do të vendoste një rekord të ri për një objekt të lidhur me një prej momenteve më të famshme të futbollit botëror.







