Linus Pauling ishte një nga shkencëtarët më të shquar të shekullit XX. Ai fitoi dy Çmime Nobel dhe transformoi mënyrën se si kuptojmë lidhjet kimike dhe strukturën e proteinave.
Megjithatë, në fund të karrierës së tij, ai u bë i famshëm për diçka krejt tjetër: bindjen e tij të fortë se doza shumë të larta të vitaminës C mund t’i ndihmonin njerëzit me kancer. Shumë mjekë e përqeshën.
Kur vetë Pauling vdiq më vonë nga kanceri, në moshën 93-vjeçare, ai u paraqit si një shembull klasik i “efektit halo”: të jesh gjeni në një fushë nuk garanton domosdoshmërisht mençuri në një tjetër.
Pesëdhjetë vjet më vonë, kjo histori duket më e ndërlikuar. Pauling gaboi në disa aspekte të rëndësishme, por nuk gaboi plotësisht. Kërkimet moderne po e rishqyrtojnë rolin e vitaminës C në trajtimin e kancerit dhe rezulton se, në kushte të caktuara, ajo mund të sillet më pak si një vitaminë e zakonshme dhe më shumë si një ilaç.
Historia e vitaminës C e Pauling filloi në vitet 1970, kur ai bashkëpunoi me mjekun skocez Ewan Cameron dhe u dha pacientëve me kancer të avancuar e të pashërueshëm sasi shumë të mëdha të vitaminës C fillimisht nëpërmjet infuzionit intravenoz dhe më pas në formë tabletash. Krahasuar me pacientë të ngjashëm që nuk morën vitaminë C, ata raportuan se grupi i trajtuar jetoi më gjatë dhe ndihej më mirë. Për disa pacientë, sipas tyre, mbijetesa mund të ishte disa herë më e gjatë.
Më pas, dy studime të mëdha të kryera nga Mayo Clinic, një nga qendrat më prestigjioze jofitimprurëse mjekësore në SHBA, e vunë këtë pretendim në provë. Rezultatet ishin të qarta: nuk u gjet asnjë përfitim.
Pacientët që morën tableta të vitaminës C nuk jetuan më gjatë se ata që nuk i morën. Për shumicën e onkologëve, kjo i dha fund çështjes. Vitamina C u fut në të njëjtën kategori me mjetet e tjera “alternative”, ndërsa fushata e Pauling në fund të karrierës së tij u konsiderua gjerësisht si një gabim i trishtueshëm.
Ajo që as kritikët dhe as mbrojtësit e këtyre studimeve nuk vunë re në atë kohë ishte se Pauling dhe Cameron e kishin filluar trajtimin me vitaminë C intravenoze, ndërsa studimet e Mayo Clinic përdorën vetëm tableta. Kjo ka rëndësi, sepse zorrët mund të përthithin vetëm një sasi të kufizuar të vitaminës C. Pasi arrihet një dozë e caktuar ditore, organizmi thjesht nuk përthith më shumë. Mund të gëlltitni sa tableta të doni, por niveli i vitaminës C në gjak arrin një kufi dhe nuk rritet më.
Në të kundërt, administrimi intravenoz mund ta rrisë përqendrimin e vitaminës C në gjak në nivele dhjetëra apo edhe qindra herë më të larta sesa mund të arrihen me tableta. Në këto nivele ekstreme, vitamina C fillon të sillet ndryshe brenda organizmit.
Në përqendrimet e zakonshme, vitamina C vepron si një antioksidant: neutralizon molekulat e dëmshme dhe mbron qelizat tona. Por në përqendrime shumë të larta, sidomos pranë tumoreve, ajo mund të ndryshojë rol.
Studimet laboratorike tregojnë se vitamina C në doza të larta ndihmon në prodhimin e peroksidit të hidrogjenit, një substancë shumë reaktive që mund të dëmtojë qelizat. Qelizat kancerogjene duken veçanërisht të ndjeshme, sepse ato janë tashmë nën stres. Ato shumohen me shpejtësi, shpesh në zona me furnizim të dobët me gjak, dhe prodhojnë vetë shumë molekula reaktive. Sistemet e tyre të brendshme për “pastrimin” e këtyre molekulave janë tashmë të mbingarkuara.
Kur shtohet një “impuls” i papritur i peroksidit të hidrogjenit, shumë qeliza kancerogjene kalojnë kufirin e tolerancës: ADN-ja dhe mekanizmat e tyre për prodhimin e energjisë dëmtohen dhe ato vdesin. Qelizat normale, të cilat janë nën më pak stres dhe kanë mekanizma më të mirë mbrojtës, kanë më shumë gjasa të mbijetojnë. Në këtë mënyrë, dozat shumë të larta të vitaminës C sillen më pak si një suplement i përditshëm dhe më shumë si një ilaç kimioterapie i dobët, por selektiv. Është e rëndësishme të theksohet se dozat e nevojshme për këtë efekt nuk mund të arrihen me tableta.
Çfarë tregojnë provat më të fundit
Tek njerëzit, provat janë ende në fazë të hershme dhe rezultatet janë të përziera. Studime të vogla kanë administruar vitaminë C në doza të larta nëpërmjet infuzionit intravenoz te pacientët me kancere të vështira për t’u trajtuar, si kanceri i vezoreve, pankreasit ose tumoret e trurit. Deri tani, shumë pacientë kanë mundur të marrin doza të mëdha disa herë në javë pa efekte anësore serioze. Megjithatë, probleme mund të shfaqen, veçanërisht te njerëzit me funksion të dobët të veshkave ose me disa sëmundje të rralla të trashëguara. Për këtë arsye, kjo nuk është një “terapi mirëqenieje” e padëmshme që mund të ofrohet lirisht në klinika estetike.
Disa studime sugjerojnë se shtimi i infuzioneve me vitaminë C gjatë kimioterapisë mund të ndihmojë disa pacientë të jetojnë pak më gjatë ose të përballojnë më mirë efektet anësore. Megjithatë, studime të tjera nuk kanë gjetur përfitime të qarta. Për shkak se këto prova janë të vogla dhe të ndryshme nga njëra-tjetra, nuk mund të nxirren ende përfundime të sigurta.
Një rezultat që përsëritet më shpesh lidhet me cilësinë e jetës: pacientët që marrin vitaminë C së bashku me kimioterapinë raportojnë më pak lodhje, më pak dhimbje dhe më pak efekte anësore, si të përzierat. Për një person me kancer të avancuar, kjo ka rëndësi, edhe nëse nuk përbën kurën e madhe që Pauling kishte premtuar dikur.
Punimet laboratorike sugjerojnë gjithashtu role më delikate. Vitamina C merr pjesë në funksionimin e enzimave që ndikojnë në mënyrën se si ADN-ja jonë “shënohet” dhe lexohet, si dhe në mënyrën se si qelizat ndahen dhe reagojnë ndaj mungesës së oksigjenit procese që janë të rëndësishme për sjelljen e kancerit.
Në disa eksperimente, nivelet e larta të vitaminës C kanë bërë që qelizat kancerogjene të rriten më pak agresivisht dhe të bëhen më të ndjeshme ndaj trajtimit. Madje ka edhe tregues të hershëm se vitamina C mund ta ndihmojë sistemin imunitar të njohë dhe të sulmojë tumoret, megjithëse kjo mbetet ende një hipotezë.
Pjesërisht kishte të drejtë
Pra, a kishte të drejtë Pauling në fund të fundit? Përgjigjja më e drejtë është se ai kishte pjesërisht të drejtë, për arsye që nuk i kuptonte plotësisht, dhe se ai e ekzagjeroi potencialin e vitaminës C.
Ai gaboi kur promovoi tabletat e vitaminës C si një kurë të fuqishme kundër kancerit. Provat e mëdha dhe të kujdesshme nuk kanë treguar se marrja nga goja e dozave të larta të vitaminës C i ndihmon njerëzit me kancer të diagnostikuar të jetojnë më gjatë. Ai gjithashtu gaboi kur e paraqiti vitaminën C si një zgjidhje pothuajse universale për shumë sëmundje.
Megjithatë, ai nuk gaboi plotësisht kur dyshoi se vitamina C mund të kishte një rol të veçantë në trajtimin e kancerit. Ai e intuitoi, shumë kohë përpara se kjo të provohej, se dozat shumë të larta të administruara në rrugë intravenoze do të silleshin krejt ndryshe nga suplementet e zakonshme.
Kërkimet moderne kanë konfirmuar se vitamina C intravenoze arrin përqendrime shumë më të larta në gjak dhe ka efekte biologjike të veçanta. Ajo që ende mungon janë studime të mëdha, përfundimtare dhe të randomizuara, të cilat të tregojnë qartë se vitamina C intravenoze në doza të larta zgjat jetën e shumicës së pacientëve me kancer. Deri atëherë, ajo duhet të konsiderohet një trajtim eksperimental mjaftueshëm premtues për t’u studiuar, por jo mjaftueshëm i provuar për të zëvendësuar terapitë standarde. Çdo përdorim i saj duhet të kufizohet në prova klinike ose në ambiente mjekësore të mbikëqyrura me kujdes, jo në klinika që shesin infuzione të shtrenjta për “forcimin e imunitetit”.
Historia e vitaminave në trajtimin e kancerit vazhdon të zhvillohet. Nëse historia e vitaminës C dhe kancerit na mëson diçka, është se shkenca rrallë ecën në vijë të drejtë. Një ide e guximshme, disa studime të hershme me mangësi, një reagim i ashpër kundërshtues dhe më pas, vite më vonë, një rikthim më i qetë dhe më i kujdesshëm te e njëjta pyetje.
Pauling mund të mos shfajësohet kurrë plotësisht, por ai nuk ishte thjesht i mashtruar. Në entuziazmin e tij, ai mund të ketë dalluar një grimcë të së vërtetës shumë kohë përpara se pjesa tjetër e botës të dinte se si ta kërkonte atë./ScienceDaily







