Detaje të reja dalin nga krimi i rëndë që tronditi Athinën, ku shqiptari Altin Allmuça dyshohet se vrau partneren e tij, 45-vjeçaren Lulieta Obzova, dhe më pas i dha fund jetës.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së dielës në zonën e Nea Smyrnit, pas një konflikti mes çiftit pranë hyrjes së një pallati. Sipas të dhënave paraprake, Allmuça nxori një armë dhe qëlloi disa herë ndaj 45-vjeçares, e cila humbi jetën në vendngjarje.
Pak çaste më vonë, ai dyshohet se përdori të njëjtën armë për të qëlluar veten. Policia e gjeti armën pranë trupit të tij.
Por emri i Altin Allmuçës nuk ishte i panjohur për autoritetet shqiptare. Sipas burimeve të cituara nga Top Channel, në vitin 2016, kur ishte 35 vjeç dhe banonte në Tiranë, ai ishte arrestuar pasi dyshohej se përndiqte ish-bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar asaj ankth dhe frikë.
Për këtë rast, ndaj tij ishte referuar vepra penale e “Përndjekjes”, e parashikuar nga neni 121/a i Kodit Penal.
Dhjetë vite më pas, Allmuça është rikthyer në qendër të vëmendjes pas ngjarjes tragjike në kryeqytetin grek.
Sipas burimeve, Allmuça dhe Lulieta Obzova nuk ishin të martuar dhe marrëdhënia e tyre shoqërohej me konflikte. Një prej pistave që po hetohet është edhe ajo e xhelozisë, ndërsa autoritetet greke po punojnë për të zbardhur motivin dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.
Në pallatin ku ndodhi krimi janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat pritet të ndihmojnë hetuesit në dokumentimin e momenteve para dhe gjatë ngjarjes.
Policia greke vijon hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të konfliktit që i parapriu krimit të dyfishtë.







