Detaje të reja janë zbardhur nga krimi i rëndë në familje i ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne, 24 gusht, në Lushnje, ku Florian Dalladaku, 45 vjeç, ka sulmuar me sqepar prindërit e tij, duke i shkaktuar vdekjen nënës dhe plagosur rëndë babanë.
45-vjeçari goditi nënën e tij, Florije Dalladakun, 80 vjeçe, e cila nga plagët e marra, e moshuara ka humbur jetën në banesë.
Ndërkohë, babai i tij, Hasan Dalladaku, 77 vjeç, është plagosur rëndë. Pas marrjes së ndihmës së parë në spitalin e Lushnjës, për shkak të gjendjes kritike për jetën, ai është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për mjekim më të specializuar.
Pas krimit, Florian Dalladaku ka marrë automjetin e vëllait dhe është larguar nga banesa dhe është kapur më pas nga një patrullë e Policisë në Fier.
Në vijim të hetimeve, Policia po merr në pyetje familjarë dhe të afërm, në përpjekje për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe motivin e sulmit.
Sipas dëshmive të të afërmve, 45-vjeçari kurohej për probleme të shëndetit mendor dhe, gjatë gjashtë viteve të fundit, ka qenë dy herë i shtruar në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit.
Po ashtu, bëhet me dije se vite më parë Dalladaku ka tentuar të vrasë me armë gjahu një bashkëfshatar. Për këtë ngjarje, ai është dënuar nga drejtësia.
Hetimet për krimin e rëndë vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa pritet të zbardhen rrethana të tjera mbi ngjarjen dhe gjendjen e 45-vjeçarit.







