Një aksident me dy mjete lundruese Jet Ski është regjistruar në liqenin e Kukësit, ku dy persona kanë mbetur të dëmtuar lehtë.
Sipas policise ngjarja ndodhi ditën e djeshme (23 gusht) rreth orës 18:15. Nga informacionet e uniformave blu behet e ditur se shtetasi E. T., 29 vjeç ishte duke drejtuar një mjet lundrues Jet Ski, ku ndodhej edhe shtetasi E. P., 46 vjeç.
Gjatë lëvizjes, mjeti është përplasur aksidentalisht me një tjetër Jet Ski, që drejtohej nga shtetasi B. H. dhe që po dilte në breg për të ankoruar mjetin.
Si pasojë e përplasjes, kanë marrë dëmtime të lehta 29-vjeçari E. T. dhe 46-vjeçari E. P. Të dy janë transportuar në spitalin e Prizrenit, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi:
Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Kukës proceduan penalisht shtetasin E. T., 29 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”.
Në liqenin e Kukësit, rreth orës 18:15, ky shtetas, duke drejtuar mjetin lundrues Jet Ski, ku ndodhej së bashku me shtetasin E. P., 46 vjeç, aksidentalisht është përplasur me mjetin lundrues Jet Ski që drejtohej nga shtetasi B. H., i cili po dilte në breg të liqenit për të ankoruar mjetin lundrues.
Si pasojë, kanë marrë dëmtime të lehta shtetasit E. T. dhe E. P., të cilët ndodhen në spitalin e Prizrenit, jashtë rrezikut për jetën.
Mjetet lundruese u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.







