Nëse mendoni se për të bërë karrierë në elitën e futbollit global duhet të jetosh domosdoshmërisht në Londër, Madrid apo Milano, ka një emër që provon të kundërtën. Zaheer Storey, lindur dhe rritur në Angli, ka zgjedhur të braktisë ritmin e ftohtë të ishullit britanik për t’u vendosur prej një dekade në zemër të Tiranës. Si agjent i licencuar dhe pjesë e “Stellar”, agjencisë më të madhe dhe më të fuqishme në botë për menaxhimin e futbollistëve, ai dëshmon çdo ditë se puna dhe pasioni nuk njohin kufij gjeografikë.
Sezoni i fundit i transferimeve e gjeti atë në Londër, ku u bë pjesë e një prej operacioneve më të bujshme të merkatos verore: transferimin e qendëmbrojtësit Konsa tek Arsenali, klubi i zemrës së tij, për 60 milionë euro. Gjatë prezantimit zyrtar, ai pati rastin të takojë nga afër arkitektin e suksesit të “Topçinjve”, trajnerin Mikel Arteta.
Rrënjët e Zaheer Storey në Shqipëri janë shkrirë plotësisht me Tiranën. Ai është i martuar me të bijën e biznesmenit dhe filantropit të ndjerë Muhamet Malo, i cili ka qenë një nga kontribuesit më të mëdhenj ndër vite në artin dhe sportin shqiptar.
Është fantastike të shohësh një ekspert ndërkombëtar të futbollit që drejton fije të rëndësishme biznesi nga zyra e tij në Tiranë. Dhe historia e tij me siguri nuk do të ndalet me kaq, sepse kur agjencia më e madhe në botë e menaxhimit të futbollistëve ka një strehë edhe në Shqipëri, me siguri që do të hapë dyert e kampionateve më elitare evropiane për yjet tanë kuqezi.
Imagjinoni një ditë një futbollist shqiptar duke marrë “biletën” për të luajtur në Premier League. Pse jo? Vendi ynë tashmë është në sytë e një eksperti ndërkombëtar.








