Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me krimin e rëndë të ndodhur në Rodopi të Greqisë, ku 53-vjeçari Bujar Meço, me origjinë nga Gramshi, vrau me thikë bashkëshorten e tij, Esma Meço, 44 vjeçe dhe më pas tentoi t’i jepte fund jetës.
Sipas raportimeve të mediave greke, çifti ishte ndarë kohët e fundit. 44-vjeçarja, e cila punonte sezonalisht jashtë Rodopit, ishte kthyer në fshat për të festuar ditëlindjen e vajzës së saj 16-vjeçare.
Por kthimi në banesën familjare përfundoi në tragjedi. Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, 53-vjeçari e ka goditur gruan në qafë me thikë, duke i shkaktuar vdekjen. Pas krimit, ai është vetëplagosur dhe më pas ka konsumuar naftë, në përpjekje për t’i dhënë fund jetës.
Në momentin e ngjarjes, vajza 16-vjeçare ndodhej në banesë, në një dhomë tjetër. Ishte pikërisht ajo që telefonoi autoritetet dhe njoftoi se babai i saj kishte sulmuar nënën.
Gruaja u dërgua në spital nga djali i saj, por mjekët nuk mundën ta shpëtonin, pasi ajo kishte ndërruar jetë.
Ndërkohë, 53-vjeçari u transportua në spital, ku ndodhet i shtruar dhe është jashtë rrezikut për jetën.
E kishte denoncuar për kërcënim në vitin 2022
Sipas të dhënave të bëra publike nga mediat greke, mes çiftit kishte pasur probleme edhe më herët. Në vitin 2022, Esma Meço kishte denoncuar bashkëshortin për kërcënim.
Pas denoncimit, Bujar Meço ishte arrestuar dhe ishte dërguar përpara autoriteteve gjyqësore.
Hetimet e autoriteteve greke vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e krimit.







