Është zbuluar identiteti i 22-vjeçares që humbi jetën pas të shtënave me armë zjarri në një festë rave në Aarau të Zvicrës.
Viktima është Maria Spinelli, 22 vjeçe, me origjinë nga Atri, Itali.
E reja italiane ishte mes personave që ndodheshin në një aktivitet muzikor të zhvilluar në zonën e hipodromit në Schachen, kur ndaj turmës u qëllua me armë zjarri. Përveç 22-vjeçares, pesë persona të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre edhe dy shtetas italianë.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, teksa festa po përfundonte dhe pjesëmarrësit kishin nisur të largoheshin. Dëshmitarët kanë treguar se fillimisht i morën të shtënat për fishekzjarre, ndërsa më pas situata u kthye në panik.
Sipas dëshmive të mbledhura nga autoritetet, një person i armatosur dyshohet se qëlloi drejt zonës ku ndodheshin pjesëmarrësit dhe më pas u largua në drejtim të një zone pyjore.
Policia zvicerane ka nisur një operacion të gjerë për identifikimin dhe kapjen e autorit. Për momentin, motivi i sulmit mbetet i paqartë, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë e një sulmi me motive terroriste, pa dhënë ende një konkluzion zyrtar.
Lajmi për vdekjen e 22-vjeçares ka shkaktuar reagime edhe në Itali. Kryeministrja Giorgia Meloni shprehu ngushëllimet për familjen e Maria Spinelli dhe solidaritetin me personat e tjerë të prekur nga ngjarja.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme italiane, përmes Njësisë së Krizave, ambasadës në Bernë dhe konsullatës së përgjithshme në Bazel, po ndjek nga afër situatën dhe po asiston familjen e viktimës.
Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani ka zhvilluar gjithashtu një bisedë me homologun zviceran Ignazio Cassis, i cili ka garantuar bashkëpunimin e autoriteteve zvicerane për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit.
Hetimet vijojnë, ndërsa policia u ka bërë thirrje dëshmitarëve që kanë filmime apo fotografi nga momenti i të shtënave t’ua dorëzojnë autoriteteve.







