Pesë aparate celularë janë gjetur gjatë një kontrolli të zhvilluar në orët e para të mëngjesit në sektorin B të burgut të Durrësit, ku qëndrojnë disa ish-zyrtarë, mes tyre edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Kontrolli është kryer nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ndërsa deri më tani mbetet e paqartë se kujt prej të burgosurve në këtë sektor u përkasin pajisjet e sekuestruara.
Pesë celularët i janë përcjellë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), përmes Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), për t’iu nënshtruar ekspertizës në laboratorin e posaçëm.
Ekspertiza do të synojë të përcaktojë përdoruesit e pajisjeve, nëse ato kanë qenë në përdorim dhe mënyrën se si kanë hyrë në ambientet e burgut.
Ndërkohë, ky nuk është rasti i parë i sekuestrimit të celularëve në institucionet penitenciare. Më herët, autoritetet kanë sekuestruar dhe dërguar në SPAK edhe telefonin e Laert Haxhiut.
Po ashtu, javën e kaluar një tjetër aparat celular u gjet në burgun e Peqinit dhe iu përcoll SPAK-ut për ekzaminim.
Hetimet vijojnë për të zbardhur se kujt u përkasin pajisjet e gjetura dhe nëse ato janë përdorur për komunikime nga ambientet e burgut.







