Régis Fernandes da Silva, i njohur në botën e futbollit si “Régis Pitbull”, dikur shihej si një prej talenteve braziliane që mund të arrinin majat e futbollit botëror.
Sot, në moshën 49-vjeçare, ish-futbollisti jeton në kushte të vështira në rrugët e São Paulos, pasi varësia nga droga i ka kushtuar familjen, banesën dhe jetën që kishte ndërtuar gjatë viteve.
Régis ka veshur fanellat e dy prej klubeve të njohura braziliane, Corinthians dhe Vasco da Gama. Karriera e tij, megjithatë, mori një tjetër drejtim për shkak të problemeve me drogën, varësi të cilën ai vetë e pranon.
Gjendjen e tij të rënduar e zbuloi gazetari brazilian Emilio Botta, pasi u sinjalizua nga disa ish-shokë skuadre me të cilët Régis luante në një ekip amator. Gazetari e gjeti ish-futbollistin duke jetuar në një kamp të improvizuar mes mbeturinave dhe sendeve të hedhura.
Régis ka ende një prej pronave që zotëronte, por nuk mund të jetojë aty. Në dhjetor të vitit 2025, ai u largua nga banesa pasi sulmoi administratorin e ndërtesës.
Aktualisht, ai jeton në një çadër të improvizuar me kartona dhe mushama. Ushqimin e siguron kryesisht falë ndihmave, ndërsa një restorant përballë vendit ku ka ngritur kampin i dhuron ushqime. Pjesën më të madhe të kohës e kalon i shtrirë në çadrën e tij.
Pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhet, Régis shprehet se mbështetës të Corinthians vazhdojnë ta kujtojnë dhe të interesohen për të.
“Jam një tifoz i madh i Corinthians. Ata gjithmonë më kujtojnë”, është shprehur ai.
Megjithatë, ish-futbollisti nuk pranon ndihmën që i ofrohet. “Nëse mendojnë se kam vdekur, aq më mirë. Nuk dua që askush ta dijë se ekzistoj”, ka deklaruar ai.
Sot, aktiviteti i tij i vetëm është të lëvizë me biçikletë pa një destinacion të caktuar. Një histori që tregon kontrastin e fortë mes një karriere që premtonte famë ndërkombëtare dhe një jete të përfunduar në margjinat e shoqërisë.







