Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka anuluar procedurën e grantit të parashikuar për organizatat e shoqërisë civile, pasi asnjë prej aplikimeve të paraqitura nuk arriti të përmbushte kriteret e kërkuara.
Granti synonte financimin e organizatave të shoqërisë civile për zbatimin e planeve të emergjencës në shkolla dhe rritjen e ndërgjegjësimit të komuniteteve për përballimin e situatave të rrezikut.
Sipas AKMC-së, pas përfundimit të shqyrtimit administrativ dhe teknik të aplikimeve, rezultoi se asnjë prej tyre nuk plotësonte kriteret dhe kërkesat e përcaktuara në dokumentacionin e procedurës dhe në Udhëzuesin për Aplikantët. Për këtë arsye, nuk pati asnjë aplikant që mund të kalonte në fazën pasardhëse të vlerësimit.
Procedura ishte pjesë e projektit “Fuqizimi i Qëndrueshmërisë Shqiptare përmes bashkëzbatimit të një Sistemi të Paralajmërimit të Hershëm Shumë-Rreziqesh në nivel kombëtar (EAR-MHEWS)”.
Objekti i grantit lidhej konkretisht me zbatimin e planeve të emergjencës në shkolla në kuadër të FbA (Forecast-based Action) dhe me ndërgjegjësimin e komuniteteve.
Anulimi nuk nënkupton mbylljen përfundimtare të skemës së financimit. AKMC bën të ditur se procedura do të rishpallet, duke ndjekur kërkesat dhe procedurat e përcaktuara në Udhëzuesin e Zbatimit të Projektit.
Çfarë nënkuptojnë emergjencat në shkolla?
Planet e emergjencës në shkolla janë protokolle që përcaktojnë se si duhet të veprojnë nxënësit, mësuesit dhe stafi kur ndodh një situatë që rrezikon sigurinë e tyre. Në Shqipëri, kjo lidhet veçanërisht me rreziqe natyrore si tërmetet, përmbytjet, zjarret apo kushtet ekstreme të motit, por edhe me ngjarje të tjera që mund të kërkojnë evakuimin ose izolimin e përkohshëm të një godine shkollore.
Në praktikë, një plan i tillë përcakton rrugët dhe pikat e evakuimit, ndarjen e përgjegjësive mes stafit, mënyrën e komunikimit me nxënësit, prindërit dhe strukturat e emergjencës, si dhe procedurat që ndiqen gjatë dhe menjëherë pas një ngjarjeje. Pjesë e përgatitjes janë edhe simulimet periodike, në mënyrë që nxënësit dhe mësuesit të dinë si të reagojnë në rast rreziku.
Në rastin e grantit të AKMC-së, një element i rëndësishëm është koncepti Forecast-based Action (FbA), ose veprimi i bazuar në parashikim.
Ai synon që masat mbrojtëse të ndërmerren përpara se një rrezik i parashikueshëm të shndërrohet në emergjencë, duke përdorur informacionet dhe paralajmërimet e hershme. Kjo mund të përfshijë aktivizimin paraprak të protokolleve të sigurisë dhe informimin e komunitetit shkollor kur parashikohet një ngjarje me potencial të lartë rreziku.







