Detaje të tjera mësohen në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë, ku 36-vjeçari Gerald Sefa i dha fund jetës një ditë më parë, 22 shtator, duke u hedhur nga kati i pestë i një pallati në zonën e Alliasit në Tiranë.
Raportohet se për ngjarjen e rëndë, policia e Tiranës ka arrestuar shtetasin Sajmir Demiri, babai i ish-bashkëjetueses së tij, nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes.
Dy ditë para ngjarjes, Demiri dyshohet se ka debatuar me 36-vjeçarin, duke i kërkuar llogari për ndarjen nga vajza e tij. Sipas hetimeve, debatet dhe presioni i vazhdueshëm ndaj Sefës dyshohet se e kanë shtyrë të riun drejt aktit ekstrem.
Fillimisht, policia hetoi edhe pistën e vrasjes, pasi në banesën ku ndodhi ngjarja u gjet një thikë me njolla gjaku. Por, sipas burimeve, ekspertiza ka zbuluar se në thikë kishte gjurmë gishtash të Gerald Sefës. Dyshohet se 36-vjeçari fillimisht ka tentuar të presë damarët dhe më pas është hedhur nga lartësia.
Banesa ku ndodhi ngjarja ishte në pronësi të një familjari të Sefës, i cili ia kishte lënë të riut për të jetuar. Nga kamerat e sigurisë është zbuluar se 36 vjeçari ka hyrë i vetëm në pallat.







