Një person është plagosur me armë zjarri në afërsi të zonës së Zogut të Zi në Tiranë.
Mësohet se i plagosuri, i identifikuar si Gjenk Karabeg është qëlluar me një plumb në këmbë dhe është transportuar menjëherë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore.
Burime bëjnë me dije se i plagosuri është shtetas kosovar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga sa mësohet, Gjenk Karabegu nuk ka dhënë ende informacion për ngjarjen.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Grupi hetimor po mbledh dhe verifikon pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin e autorit.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 25.09.2026, rreth orës 14:35, në Spitalin e Traumës është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi kosovar Gj. K., rreth 33 vjeç, dyshohet i plagosur me armë zjarri në këmbë.
Paraprakisht, nga hetimet, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të ndodhur në rrugën “Egnatia”, për motive të dobëta.
Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet e para hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.







