Ndeshja mes Holandës dhe Gjermanisë është shoqëruar me polemika të shumta. Holandezët ishin të tërbuar me gjyqtarin Alehandro Hernandez Hernandez, duke e akuzuar se u kishte hequr një gol në mënyrë të padrejtë, duke anuluar atë të shënuar nga Van Dajk që do u kishte dhënë avantazhin në pjesën e parë.
Në minutën e 13, Van Dajk gjuajti me kokë dhe mposhti Ter Shtegen, por VAR-i ftoi kryesorin të shihte pamjet në monitor, pas të cilave ai e anuloi. Tifozët dhe lojtarët në fushë u bindën se goli ishte anuluar për shkak të kontakti të Brobei me Ter Shtegen duke shkaktuar faull ndaj portierit. Dhe këtë mendim e përforcoi edhe sinjalizimi që u dha në ekranin e stadiumit ku u cilësua se goli ishte anuluar për faull.
SHIH VIDEON
“Sipas mendimit tim, Brajan nuk bëri absolutisht asgjë. Sipas mendimit im ishte thjesht gol”, tha Van Dajk pas ndeshjes. Por “Kicker” ka zbuluar se në fakt goli nuk ishte anuluar për faull dhe konfirmimin ia dha edhe Federata Gjermane.
Sulmuesi i Holandës ishte në pozicion jashtë loje në momentin kur Van Dajk gjuajti topin, por meqë ka kontakt me portierin, ai bëhet aktiv në aksion edhe pse nuk prekte sferën, pasi pengonte lëvizjen e Ter Shtegen. Ndaj goli ishte anuluar për pozicionin jashtë loje të sulmuesit dhe jo për faullin ndaj Ter Shtegen.







