Një 28-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi në banesën e tij në rrugën “Rreshit Petrela” janë gjetur 363 gramë kokainë të ndarë në 235 doza, dy pistoleta, municion luftarak dhe një peshore elektronike.
Sipas Policisë, i arrestuari, me inicialet Orges Ferazini, ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Shkolla të pastra”, nën dyshimin se merrej me shitjen e lëndëve narkotike pranë institucioneve arsimore në kryeqytet.

Gjatë kontrollit në banesë, efektivët sekuestruan dy armë zjarri dhe municion, të cilat 28-vjeçari dyshohet se i posedonte pa leje, si dhe kokainën e ndarë në doza, që dyshohet se ishte për shitje.
Ndaj tij, Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Vijon operacioni policor i koduar “Shkolla të pastra”, i zhvilluar 3 ditë më parë.
Sekuestrohen 2 pistoleta me municion, 235 doza Kokaine dhe 1 peshore elektronike.
Vihet në pranga 28-vjeçari që mbante sendet e kundërligjshme, në banesë, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Shkolla të pastra”, i akuzuar për shitje të lëndëve narkotike në afërsi të institucioneve arsimore në kryeqytet.
Në vijim të administrimit të një informacioni të siguruar gjatë punës operative, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të pastra”, i cili gjithashtu dyshohej se mbante në banesë, armë zjarri dhe lëndë narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, organizuan punën.
Si rezultat i ndërhyrjes në ambientet e banesës në rrugën “Rreshit Petrela”, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë të dyshuarin, shtetasin O. F., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, gjetën në banesë 2 armë zjarri (pistoleta) dhe municion luftarak, që i posedonte pa leje, 363 gramë lëndë të dyshuar narkotike Kokainë, të ndarë në 235 doza, dyshohet me qëllim shitjen, si dhe 1 peshore elektronike.
28-vjeçari ishte në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të pastra”, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Punohet për zbardhjen dhe dokumentimin e përfshirjes së 28-vjeçarit, në veprimtari kriminale, si dhe për kapjen e të gjithë shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të pastra”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.







