Gjatë fjalës së tij në Konferencën e 10-të Ndërqeveritare në Luksemburg, kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët edhe lidhur me hetimet e SPAK ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni.
Në përgjigjen e tij, Rama u shpreh se drejtësia po bën punën e vet, duke theksuar se kultura e pandëshkueshmërisë në Shqipëri ka marrë fund dhe se askush nuk është mbi ligjin.
Rama tha se dikur Shqipëria njihej si atdheu i kulturës së pandëshkueshmërisë, por sot, teksa mbyllet një tjetër kapitull për anëtarësimin në BE, situata a ndryshuar.
“Nga ana tjetër, ju dhe vendi juaj mund ta kuptoni shumë mirë kur flasim për drejtësinë që bën punën e vet. Është ajo për të cilën kemi nevojë. Fakti që ju e dini, tregon se sistemi ka nisur të funksionojë. Kur e nisëm këtë rrugëtim, në këtë vend njiheshim si atdheu i kulturës së pandëshkueshmërisë.
Vijmë ndërkohë në këtë ndërtesë sot dhe njihemi si një prej vendeve pararojë, edhe sepse kultura e pandëshkueshmërisë ka mbaruar dhe askush nuk është mbi ligjin. Sepse ai që dje ishte një sistem i kontrolluar nga korrupsioni dhe sot është një sistem që lufton korrupsionin, jemi këtu duke mbyllur një kapitull dhe do të kthehemi për të mbyllur të tjerë.
Është çështje këndvështrimi. Kështu e marrim motivimin dhe energjinë për të ecur përpara. Sepse, nga këndvështrimi i kësaj ndërtese, kështu duhet të jetë dhe kështu duhet të ecim ne përpara”, tha Rama.







