Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos ka përgëzuar Shqipërinë, për arritjet e saj, teksa sot mbyllen negociatat për Kapitullin 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.
Në Luksemburg, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne, Kos u shpreh se anëtarësimi në BE është projekt kombëtar.
Sipas saj, Shqipëria mund të bëhet anëtare e unionit para vitit 2030.
“Shqipëria është një nga kryesuesit e këtij progresi mbresëlënës, po mbyllim një kapitull tjetër negociues. Bizneset e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare. Shqipëria po sjell politikat e saj industriale më afër BE. Këto janë thelbësore për të ndërtuar një ekonomi më të fortë. Dua të përgëzoj Shqipërinë për një tjetër arritje. Shqipëria i ka vënë ambicie për të mbyllur reformat deri në fund të 2027, ne e mbështesim këtë ambicie, por reformat duhet të vijojnë”, theksoi ajo.







