Në Tiranë vijon protesta e dhunshme, ndërsa përplasjet mes policisë dhe protestuesve janë shënuar herë pas here.
Në studion e Top Story, katër protestues kanë ngritur zërin dhe kanë treguar arsyet se përse ata kanë dalë në këtë tubim, që sipas tyre, nuk do të ndalet.
Sa i përket akteve të dhunës dhe sulmeve ndaj bizneseve private, ata shprehen se nuk është ky “targeti” i tyre, por vetëm institucionet shtetërore.
“Studentët nuk kanë dhunuar bizneset, ata që e kanë bërë nuk janë studentë”, u shpreh protestuesja Anjeza Marku.
Një koment e kishin edhe për mënyrën se si janë trajtuar dhe përballur me policinë.
“Me institucionet është revoltë, kanë dështuar. SPAK i ka marrë të gjithë me radhë, dhe bëjmë sikur ai (kryeministri) është vetëm. Policët janë ndarë në dy kampe… Kemi nga ata që janë aty për bukën e gojës dhe janë të detyruar të veprojnë ashtu, por ka dhe nga ata që me ne nxjerrin mllefin e tyre që i mbajnë aty 12 orë. Unë u bëj thirrje të bashkohen me anën tonë”, u shpreh një tjetër protestues, Antonio Sino.
“Duam t’i ndajmë dy palët, kam parë policë që kanë arrestuar një protestues dhe e gjuanin dhe e tërhiqnin zvarrë, por ka pasur dhe nga ata që na kanë thënë ‘kujdes, jemi ne këtu’. Ata që dhunojnë dhe sulmojnë biznesin privat, mund të jenë të paguar për ta prishur këtë protestë”, tha protestuesja Artenisa Lami.







