Bizneset e vogla që kanë pësuar dëme materiale gjatë protestave mund të regjistrojnë dëmet nëpërmjet portalit e-Albania, ku është krijuar hapësira e dedikuar “Dëmi im”, për evidentimin, verifikimin dhe mbështetjen e tyre.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se bizneset e prekura duhet të identifikohen në portalin e-Albania, të kërkojnë shërbimin “Dëmi im” dhe të plotësojnë të dhënat personale, NIPT-in, kontaktet, informacionin për ambientin e biznesit dhe sigurimin, nëse disponojnë një të tillë.
Aplikuesit duhet të deklarojnë vlerën e përllogaritur të dëmeve materiale dhe të bashkëngjitin dokumentacionin mbështetës, përfshirë fotografi, video, fatura apo dokumente të tjera që vërtetojnë dëmet e shkaktuara.
Sipas njoftimit të ministres, 10 grupe pune të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do të kryejnë verifikimet në terren. Paralelisht, do të kontrollohet dokumentacioni i paraqitur dhe do të krijohet regjistri i dëmeve të evidentuara.
Pas përfundimit të procesit të verifikimit, do të përcaktohen masat konkrete për mbështetjen e bizneseve dhe shlyerjen e dëmeve.
Ibrahimaj u bëri thirrje bizneseve të vogla të prekura nga protestat të regjistrojnë dëmet në platformën e dedikuar dhe të paraqesin dokumentacionin përkatës, në mënyrë që dëmet të evidentohen dhe të verifikohen.
Si të aplikoni?
1. Hyni në e-Albania: Aksesoni www.e-albania.al dhe identifikohuni në llogarinë tuaj.
2. Gjeni shërbimin: Kërkoni hapësirën “Dëmi im”.
3. Plotësoni të dhënat: Vendosni të dhënat personale, NIPT-in, kontaktet, informacionin mbi ambientin e biznesit dhe sigurimin, nëse keni.
4. Deklaroni dëmet: Shënoni vlerën e përllogaritur të dëmeve materiale.
5. Ngarkoni dokumentet: Bashkëngjitni fotografi, video, fatura dhe çdo dokument tjetër mbështetës.
6. Përfundoni regjistrimin: Ndiqni udhëzimet e portalit për dorëzimin e të dhënave.







