Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar që të hetohen pretendimet që përfshijnë Richard Grenellin, një prej ish-bashkëpunëtorëve të tij më të afërt. Çështja lidhet me dyshimet për shkëmbim parash në këmbim të ndikimit dhe afërsisë me administratën amerikane.
Sipas mediumit Axios, në Shtëpinë e Bardhë ka shpërthyer një çështje që lidhet me pretendimet për “pagesa për ndikim” te Trumpi. Në qendër të raportimit është një mesazh i pretenduar i Grenellit, dërguar në maj të vitit të kaluar biznesmenit turk, Turhan Mildon.
Në atë kohë, Grenell drejtonte qendrën kulturore “Kennedy Center”. Sipas raportimit, ai i kishte kërkuar Mildonit të transferonte rreth 17 milionë dollarë te kompania “Texas Armament & Technology”, nga të cilat rreth 6 milionë dollarë do të shkonin për qendrën e arteve.
“Sapo që paratë të vijnë te kompania këtu, do të aranzhoj donacionin te ‘Kennedy Center’, dhe ju do t’iu bashkoheni ngjarjeve VIP dhe të jeni të afërt me administratën, madje edhe me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në mesazhin e Grenellit, sipas raportimit.
Grenell i ka mohuar pretendimet, duke i cilësuar ato si të rreme. Ndërkaq, Alina Habba, avokatja dhe bashkëshortja e Mildonit, ka deklaruar se “Kennedy Center” nuk e ka pranuar asnjëherë donacionin.
Sipas “Axios” dhe “The New York Times”, Habba ishte takuar me Trumpin më herët gjatë këtij muaji për të diskutuar çështjen që lidhet me Grenellin. Pas kësaj, presidenti amerikan ka urdhëruar Shtëpinë e Bardhë që të nisë menjëherë hetimet.
Richard Grenell ka shërbyer si emisar special i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi gjatë periudhës 2019-2021./







