Deputeti i PS Eduart Shalsi ka deklaruare se 46-vjeçari Ismet Habili që u gjet i vrarë në makinën e tij, nuk ka qenë shofer.
“Lidhur me lajmin e publikuar në disa media për ngjarjen tragjike në zonën e Komunës së Parisit, dua të sqaroj se informacioni sipas të cilit 46-vjeçari ishte shoferi im është i pavërtetë”, deklaron Shalsi.
Ndërkohë policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe rrethanave të saj.
Siç kemi raportuar deri më tani, referuar hetimeve të kryera dyshimet janë se Habili rreth orës 20:20 të mbrëmjes së djeshme i dha fund jetës së tij pasi u vetëqëllua me armë zjarri. Ndonëse fillimisht u dyshua për atentat me silenciator, pasi në momentin e ngjarjes në zonë raportohet se nuk janë dëgjuar të shtëna me armë, ngjarja mori tjetër kthesë.
Burime nga grupi hetimor kanë bërë me dije se Habili kishte një plagë të madhe në kokë dhe në tavanin e mjetit të tij janë gjetur shenja plumbi, çka lë të kuptohej se ai u vetëqëllua.
Rrethanat e vdekjes së Habilit janë të paqarta, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vijim. Ndërsa dyshimet janë se 46-vjeçari kreu vetëvrasje pas një debati që ka pasur me familjarët e tij, pasi telefonata e fundit e viktimës raportohet se ka qenë me bashkëshorten e tij. Pritet të kemi detaje të reja në vijim.

