Stuhia Austen ka shkaktuar probleme në Belgjikë, me pemë të rrëzuara, përmbytje dhe vështirësi në qarkullimin rrugor e hekurudhor. Katër persona kanë mbetur të plagosur në Bruksel, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për erëra të forta dhe u kanë kërkuar qytetarëve të kufizojnë lëvizjet.
Tre persona u plagosën pasi një pemë e madhe u rrëzua në tarracën e një restoranti në qendrën historike të Brukselit. Sipas policisë, gjendja e tyre shëndetësore nuk paraqet rrezik. Një tjetër person u dërgua në spital pasi u godit në kokë nga një degë peme.
Erërat e forta dhe reshjet e dendura shkaktuan probleme edhe në disa autostrada dhe në rrjetin hekurudhor. Në qytetin bregdetar të Ostendës, një tunel rrugor u mbyll për shkak të përmbytjeve. Ndërkohë, parqet dhe hapësirat e gjelbra u mbyllën për arsye sigurie në Bruksel dhe Liège.
Shërbimi meteorologjik belg ka lëshuar alarm portokalli për erëra të forta në perëndim të vendit, veçanërisht përgjatë bregdetit, ku priten shpejtësi të erës mbi 100 km/orë. Paralajmërimi mbetet në fuqi deri të nesërmen në mëngjes.
Anulohen fluturime në Holandë
Stuhia ka shkaktuar probleme edhe në Holandë. Kompania ajrore KLM anuloi 20 fluturime për shkak të erërave të forta, ndërsa 22 anulime të tjera priten të nesërmen.
Autoritetet meteorologjike holandeze paralajmëruan për erëra me shpejtësi deri në 90 km/orë. Aeroporti Schiphol raportoi gjithashtu probleme të kufizuara në trafikun ajror për shkak të kushteve atmosferike.
Stuhia Austen ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike edhe në vende të tjera evropiane. Rreth 300 mijë familje në Francë dhe 12 mijë në Britani kanë mbetur pa energji për shkak të erërave të forta dhe reshjeve intensive.







