Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Order”, duke zbardhur djegien e një automjeti të ndodhur rreth një muaj më parë në lagjen “1 Maji”. Në kuadër të operacionit janë arrestuar dy persona, të dyshuar si porositësi dhe autori i zjarrvënies.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ndodhi më 22 shtator 2026, rreth orës 01:20, kur u dogj automjeti në pronësi të një 50-vjeçareje, banuese në Vlorë.
Fillimisht, rasti u dyshua si aksidental, për shkak të një defekti teknik në motorin e automjetit. Megjithatë, pas hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve, nën drejtimin e Prokurorisë, u zbulua se automjeti ishte djegur qëllimisht.
Në vijim të hetimeve, policia identifikoi dhe arrestoi dy shtetas me iniciale, R. K., 33 vjeç, dhe T. K., 36 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 33-vjeçari R. K. ka porositur 36-vjeçarin T. K. për t’i vënë zjarrin automjetit të 50-vjeçares.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të saj.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.







