Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka shpallur si kërcënim të sigurisë kombëtare Institutet Konfuci, njoftoi shefi i mbrojtjes amerikane, Pete Hegseth.
Këto janë qendra kulturore në kapuset universitare që financohen nga Kina. Institute të tilla, për të cilat Radio Evropa e Lirë ka raportuar në fillim të shkurtit të këtij viti, ka në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës, teksa bursat e shkëmbimet universitare shihen si një formë e butë ndikimi në Ballkan që Kina po drejton.
Uashingtoni për një kohë të gjatë ka akuzuar Institutet Konfuci se janë mjete të propagandës ruse dhe ka ndërmarrë hapa kundër tyre.
Sekretari Hegseth, në një video të publikuar në rrjetet sociale, tha se Institutet Konfuci operojnë në mënyrë të kamufluar në universitetet amerikane dhe se Pentagoni i ka futur ato në listën e institucioneve që kërcënojnë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
“Rezulton se nga 80 celulat e reja të propagandës janë shfaqur në 30 universitete duke përdorur emra të ndryshëm dhe statuse të ndryshme, por me mision të njëjtë: për të vjedhur pronësinë intelektuale dhe për t’u infiltruar në mendjen e studentëve amerikanë”, tha Hegseth.
Sipas tij, Departamenti amerikan i Mbrojtjes në dy muajt e fundit “në mënyrë sistematike ka shpërbërë të gjitha këto organizata”.
Ambasada kineze në Uashington nuk ka komentuar menjëherë lidhur me këtë çështje.
Institutet Konfuci në gjithë Ballkanin Perëndimor, përveç Kosovës
Institute Konfuci ka kudo në Ballkanin Perëdimor, përveç Kosovës, pavarësinë e cilës Pekini nuk e njeh dhe për rrjedhojë nuk ka përfaqësim zyrtar në Prishtinë.
Radio Evropa e Lirë raportoi për ndikimin e këtyre instituteve në Ballkan në shkurt të këtij viti.
Serbia dallohet si partneri më i avancuar arsimor i Kinës në rajon, ku janë vendosur tri institute Konfuci që mbështesin mësimin e gjuhës kineze në dhjetëra shkolla. Këto institute gjenden në Serbi mbi dy dekada dhe numri i pjesëmarrësve në to është rritur disa dhjetëra herë çdo vit, teksa bashkëpunimi arsimor është forcuar edhe nga marrëveshje që Kina dhe Serbia kanë nënshkruar më 2018.







