Real Madridi ka fituar El Clasicon ndaj Barcelonës me rezultatin 1-2, duke i shkaktuar katalanasve humbjen e parë në La Liga këtë sezon dhe duke u afruar me vetëm tri pikë me ta në renditje.
Protagonisti absolut i mbrëmjes ishte Kylian Mbappe, i cili realizoi të dy golat për madrilenët, duke i dhënë skuadrës së tij një fitore me peshë të madhe në garën për titullin kampion.
Sulmuesi francez zhbllokoi rezultatin në minutën e 41-të, pas një gabimi në largimin e topit nga Gerard Martin. Topi përfundoi te këmbët e Mbappes, i cili nuk gaboi përballë portës, duke i dhënë avantazhin Realit.
Barcelona reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të barazojë shifrat në minutën e 61-të. Pedri shërbeu një top në zonë për Raphinhan, i cili me një goditje të saktë me të majtën mposhti Lunin për rezultatin 1-1.
Pas barazimit, të dyja skuadrat kërkuan golin e fitores, por momenti vendimtar erdhi në minutën e 88-të. Camavinga depërtoi bukur në zonë dhe pasoi për Mbappen, i cili, me portën e boshatisur, dërgoi topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar 2-1.







