Gjykata e Posaçme shtyu për më 9 nëntor seancën gjyqësore ndaj Sali Berishës dhe të pandehurve të tjerë në dosjen “Partizani”.
Shkak për shtyrjen u bë mungesa e avokatëve mbrojtës, të cilët vijojnë bojkotin e seancave gjyqësore.
Pavarësisht mungesës së tyre, gjykata nuk vendosi gjoba ndaj avokatëve.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka komunikuar ish-kryeministrit dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzën penale për veprën e “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” kryer në bashkëpunim, lidhur me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
SPAK pretendon se Berisha ka përdorur pushtetin e tij për të favorizuar procedurat e privatizimit, nga të cilat ka përfituar familja e tij.







