HomeBotaKrizë e thellë në Poloni, policia ‘bastis’ zyrat e Gjykatës Kushtetuese! Akuza...

Krizë e thellë në Poloni, policia ‘bastis’ zyrat e Gjykatës Kushtetuese! Akuza për një ‘grusht shteti’

Advertismentspot_img

Një krizë e re politike dhe institucionale ka shpërthyer në Poloni, pas pezullimit nga detyra të presidentit të Gjykatës Kushtetuese, Bogdan Święczkowski, dhe hyrjes së policisë në ambientet e institucionit.

polonia_epeisodia_mk

Sipas Reuters, drejtuesit e Gjykatës Kushtetuese kanë kundërshtuar ligjshmërinë e vendimit për pezullimin e Święczkowski-t, duke e cilësuar atë si një përpjekje për marrjen e paligjshme të kontrollit mbi institucionin.

Në qendër të përplasjes qëndron konflikti mes qeverisë së kryeministrit Donald Tusk dhe presidencës për kontrollin e sistemit të drejtësisë. Përplasja lidhet me reformat e ndërmarra nga qeveria e mëparshme dhe ka ngritur pikëpyetje mbi funksionimin e institucioneve dhe ligjshmërinë e vendimeve të tyre.

Zhvillimet e fundit kanë bërë që presidenti polak, Karol Nawrocki, të ndërpresë udhëtimin drejt Senegalit dhe të kthehet në Poloni.

Avioni me të cilin ai po udhëtonte të premten ndryshoi drejtim, pasi policia hyri në ambientet e Gjykatës Kushtetuese dhe kreu i saj u pezullua nga detyra.

“Në një moment si ky, presidenti duhet të jetë në Poloni. Po ndërpres udhëtimin tim drejt Senegalit. Po kthehem”, deklaroi Nawrocki në një reagim në rrjetin social X.

Nga ana tjetër, kryeministri Donald Tusk reagoi përmes një mesazhi në rrjetet sociale, duke mbrojtur veprimet e qeverisë dhe procesin e rivendosjes së shtetit të së drejtës.

“Rivendosja e shtetit të së drejtës është detyra jonë. Pas viteve të anarkisë nën drejtimin e PiS (Partia Ligj dhe Drejtësi), ky proces është i vështirë, ndonjëherë i dhimbshëm dhe kërkon veprime vendimtare. Nuk ka rrugë tjetër”, shkroi Tusk.

polonia_in__1_

Si nisi përplasja mes qeverisë dhe presidencës?

Konflikti për Gjykatën Kushtetuese është pjesë e një përplasjeje politike që vijon prej vitesh dhe që ka paralizuar në praktikë funksionimin e këtij institucioni.

Më herët gjatë këtij viti, presidenti Nawrocki, aleat i ish-qeverisë nacionaliste të Polonisë, refuzoi të betonte tre nga gjashtë gjyqtarët e zgjedhur nga parlamenti. Nga ana tjetër, Święczkowski nuk lejoi që gjyqtarët e zgjedhur nga shumica aktuale parlamentare të merrnin detyrën.

Kriza i ka rrënjët në periudhën e qeverisjes së partisë nacional-konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS), e cila ndërmori ndryshime të gjera në përbërjen dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Këto reforma shkaktuan reagime të forta në Bashkimin Evropian, ku u ngritën shqetësime për përputhshmërinë e tyre me parimet e pavarësisë së gjyqësorit dhe shtetit të së drejtës.

Pas ardhjes në pushtet, qeveria e Donald Tusk u përpoq të ndryshonte reformat e mëparshme dhe të rikthente, sipas saj, pavarësinë institucionale të gjykatave. Megjithatë, këto iniciativa u kundërshtuan nga presidenti Nawrocki, i mbështetur nga PiS, i cili akuzon qeverinë se po përpiqet të marrë vetë kontrollin e sistemit të drejtësisë.

Përplasja u thellua pas zgjedhjes së gjyqtarëve të rinj kushtetues nga shumica parlamentare dhe refuzimit të presidentit për të betuar disa prej tyre. Më pas pasuan procedura të kontestuara betimi dhe mosmarrëveshje mbi të drejtën e gjyqtarëve të rinj për të ushtruar funksionet e tyre në Gjykatën Kushtetuese.

Zhvillimet e fundit nuk përbëjnë një episod të izoluar, por kulmin e një konflikti të gjatë, në të cilin të dyja palët vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e veprimeve të njëra-tjetrës.

Çështja kryesore tashmë është se kush ka të drejtën ligjore për të drejtuar Gjykatën Kushtetuese dhe nëse vendimet e saj do të njihen nga të gjitha institucionet shtetërore.

Përplasja mes qeverisë, presidencës dhe drejtuesve të gjykatës rrezikon të thellojë më tej krizën institucionale në Poloni, ndërsa palët vijojnë të mbajnë qëndrime të kundërta për legjitimitetin e vendimeve dhe emërimeve në institucionin më të lartë kushtetues të vendit.

polonia_in__2_
Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular