Nga Hajri Mandri, Prof. asoc. dr Albanian University, Tiranë
Në raportet estetike që krijon malli për atdheun, kur njeriu largohet për të banuar në një vend të largët, vetë distanca, krijon një vatër malli dhe një energji shpirtërore që të ngre në lartësi morale dhe frymëzim të vazhdueshëm. Disa e fshehin në thellësi të shpirtit, disa të tjerë e shfaqin atë publikisht, në shtypin e shkruar apo krijimtari letrare. Një emigrant në ShBA, Halil Teodori, nga Tirana, me origjinë të herëshme nga Dibra, u largua nga Shqipëria para tre dekadash.
Ka emigrantë shqiptarë në Amerikë që natyralizohen duke punuar dhe duke krijuar familje, duke rritur mirëqenien ekonomike dhe kulturore të jetesës, por ka nga ata që edhe punojnë e shkollojnë fëmijët dhe nuk lodhen duke shkruar në publicistikë dhe poezi, ku ndjehet fuqishëm stuhia shpirtërore që shkakton malli për Atdheun e shqiptarëve, si më e madhja dashuri.
Pas çdo ditë pune, – thotë Halili, nuk mund të rri pa shkruar. Ndër imazhet e atdheut atij i vijnë ndër mend figura të shquara, ngjarje dhe tradita që bartin mesazhe që duhen përcjellur për të kujtuar të kaluarën, duke vlerësuar të sotmen dhe afirmuar ardhmërinë tonë kombëtare. Pikërisht këto stimuj të fuqishëm motivojnë veprimtarinë
Halilin nuk e joshi rehatia personale, por përmbushja morale e shpirtërore e tij duke ndjekur hap pas hapi, fatet e vendit të tij që nga lashtësia e deri në ditët tona. Kjo e ka tëhequr autorin e dhjetra librave me studime për historinë e shqiptarëve, origjinën, luftërat dhe sfidat, ku autori përpiqet të ndriçojë anë të padukshme në historinë tonë të largët. Dashuria dhe ndjenjat ndaj të kaluarës janë tipari themelor dhe sbstancional i studimeve të thelluara të Halil Teodorit në historinë e hershme të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo qasje studimore, në mënyrë të veçantë, duket në librin studimor “Aleksandri i Madh”, një monografi mjaft e këndëshme me episode tërheqëse dhe të shkruara me dashuri dhe referenca shkencore.
Nga punimet shkencore për gjuhën shqipe, prejardhjen e saj, pasurimin dhe vlerat e saj,kombëtare, rolin e saj si tipar themelor i kulturës kombëtare Halili befason me studime të thelluara nga burime dhe referenca të reja, hulumtuar nga mjedise universitare amerikane.
Rrugëtimi krijues në publicistkë , studime historike dhe poezi është i mbushur me angazhime të shumta, të cilat dëshmojnë një prani aktive në mjaft organe të shtypit shqiptar.
Rrugëtimi i tij Halil Teodori është një prej atyre personaliteteve që kontribuoi ndjeshëm në realitetin politik shqiptar të tranzicionit, duke kontribuar në zhvillimet demokratike si pjesë e strukturave në skenën politike shqiptare. Aktitiviteti i tij politik jepet i detajuar në shkrimet me karakter monografik.
Në letërsinë artistike Halil Teodorin e gjejmë në korpusin e tij të librave me poezi ku spikat një ndjenjë e ngrohtë lirizmi, vëzhgime poetike origjinale dhe të befta me detaje nga momente të thjeshta në marrëdhëniet njërëzore deri tek ato më sublime e madhështorë ku ndjehet frymëmarrja e kombit të tij, kultura si akt rezistence, qëndresa dhe vitaliteti për të mbijetuar deri në ditët tona ku po përpiqemi të integrohemi në familjen e madhe evropiane me traditat, kulturën dhe trashëgiminë më të mirë kombëtare shqiptare.
Në vitet ’80, në gazetën “Ushtima e maleve”, prezantohet tek lexuesi me artikullin e gjatw politik: “Të rrisim ndjenjën e përgjegjësisë të forumeve të rinisë”, duke dëshmuar që në atë moshë jo vetëm prirjen për të shkruar, por edhe shqetësimin qytetar dhe ndjenjën e përgjegjësisë në raportet morale e shoqërore. Më pas, ai do të vijonte me botime në gazeta të njohura të kohës si “Zëri i Rinisë”, “Luftëtari” e të tjera, duke ndërtuar gradualisht profilin e një autori të angazhuar dhe të vëmendshëm ndaj realitetit. Në vitet e demokracisë ai publikoi poezi në gazetat me tirazh të lartë dhe një sërë shkrimesh në gazetën “Bulqiza” dhe “Dibra”, portrete figurash të shquara dibrane. Me kalimin e viteve, kjo prirje u shndërrua në një vetëdije të kultivuar artistike dhe intelektuale. Halil Teodori është sot një zë i veçantë në përmbajtje dhe në formën e të shkruarit. Janë vetë librat e tij, interesimi që kanë zgjuar dhe vlerësimet që kanë marrë nga lexuesit dhe kritika, që dëshmojnë për peshën e kontributit të tij. Vepra e tij përbën tashmë një kolanë të pasur: “Vegimet e moshës”, poezi; “Dritë nga errësira”, roman; “Gjurmët”, publicistikë; “Sabri Caka, krahu i shqipes në flamur”, roman monografik; “Dashuria dhemb”, poezi; dhe “Të gjithë qiejt shkëlqejnë në sytë e dashurisë”, etj. Këta tituj janë dëshmi të një jete të jetuar me ndjeshmëri, me përjetim dhe me nevojën për të komunikuar me lexuesin. Janë pjesë e një trashëgimie shpirtërore që e përfaqëson autorin me dinjitet.
Por kontributi i tij nuk ndalet vetëm në letërsi artistike. Halil Teodori ka sjellë një numër të madh kumtesash, studimesh dhe shkrimesh publicistike, ku ndërthuren historia, memoria, identiteti kombëtar dhe vlerësimi i figurave të spikatura. Shkrimet monografike që janë pritur me interes nga lexuasi si “Dibra ime”, “Haki Stërmilli – jë shekull që shton shkëlqimin e vet!”, “Skënderbeu – Ai që zbriti nga podi i legjendës dhe u ngjit në piedestalin e heroit”, apo trajtimet për figura si: “Mustafa Shehu i Zerqanit”, “Selim Alliu”, “Hoxhë Hasan Muglica”, “Asllan Zeneli”, “Mustafa Likalla” dhe shumë të tjerë, dëshmojnë për qasjen patriotike që e përmbushin shpirtërisht misionin e autorit, të lidhur fort me historinë, kujtesën dhe identitetin kulturor shqiptar. Në shkrimet e tij ndjehet vazhdimisht përpjekja për të evokuar të kaluarën në funksion të të sotmes dhe të nesërmes.
Ai shkruan me respekt për figurat e dijes, të sportit, të kulturës dhe të patriotizmit, duke i trajtuar jo thjesht si personazhe biografish, por si modele frymëzimi për brezat. Edhe kur trajton tema të besimit, edukimit apo jetës komunitare, ai ruan tonin e një njeriu që kërkon të ndërtojë ura mirëkuptimi dhe vetëdijeje. Emri i Halil Teodorit dhe krijimtaria e tij zënë një vend të merituar në publicistikën dhe letrat shqipe nga personalitete që shkruajnë nga pozicioni i emigrantit që mendjen dhe zemrën e ka të atdheu i tij.
Vendlindja e tij ka arsye të ndihet krenare për të, ashtu si edhe miqtë, bashkëpunëtorët, lexuesit dhe të gjithë ata që e njohin nga afër. Ata që kanë jetuar dhe punuar me të, si në angazhimet profesionale, ashtu edhe në jetën e përditshme, e konsiderojnë privilegj njohjen me një njeri që ka ditur të mbetet i thjeshtë në sjellje, por i pasur në botë shpirtërore. Dijet e tij universitare që kishte marrë në Shqipëri, Halili i pasuroi dhe i ekivalentoi në universitete amerikane duke perfessionuar gjuhën angleze dhe profesionin e menaxhimit publik.
Të largohesh nga vendlindja do të thotë të humasësh dalngadalë…por, pikërisht për të mbajtur gjallë lidhjen me rrënjët, kujtesën dhe identitetin e vet, Halili vjen çdo vit në Tiranë për të mos humbur gjurmët në vendin e tij, përgjatë kohës që ka kaluar rininë e tij. Edhe pse prej shumë vitesh jeton në Amerikë dhe mban statusin e një qytetari amerikan, ai konsideron se atdheu nuk është vetëm një vendbanim apo një dokument shtetësie; atdheu është kujtesë, gjuhë, mall, kulturë dhe një pjesë e pandashme e emigranit.
Në mendësi, në ndjeshmëri dhe në raportin që ruan me vendlindjen, Halil Teodori mbetet thellësisht shqiptar. Ai nuk mund ta konceptojë veten të shkëputur nga Shqipëria, nga Dibra, nga njerëzit, kujtimet dhe përjetimet që e formësuan. Për të, kthimi në atdhe nuk është thjesht një udhëtim fizik, por një rikthim shpirtëror, një nevojë e brendshme për të prekur tokën, që i jep jetë, si anteu. Çdo emigrant i atij kontinenti të largët ka “Itakën” e vet, Halil Teodori ka në mendje dhe zemër Vendin e Shqiponjave.
Në krijimtarinë poetike paralelizmi figurativ i botës moderne industriale amerikane dhe vendit të pasurive shpirtërore dhe natyrore të rralla që përbëjnë portretin e dashur të atdheut të tij. Halili njeh mirë alegorinë e të folurit me shëmbëlltyra, të mendimit filozofik të krahinës së tij, ku ka lindur, Dibra që shquhet për fjalën e urtë e të matur. Ky konstrukt filozifik zë vend në shumë poezi të Halilit duke i bërë krijimet e tij origjinale në stilin e ligjërimit poetik. Me një tonalitet të qetë, fjalëurtë dhe me një frazë të menduar, Halili, edhe kur bisedon me të, të duket sikur krijon, duke ligjëruar ëmbël. Ashtu siç ka fytyrën, të bardhë dhe të qeshur, ashtu ka dhe shpirtin e tij human, dhe konfident.







