Nga Bujar Leskaj
1. Qeveria e prezanton Projektbuxhetin 2027 si buxhetin më të madh në historinë e Shqipërisë, me afro 976 miliardë lekë shpenzime. Sa nga kjo rritje përfaqëson një zgjerim real të shërbimeve publike dhe investimeve, pasi të neutralizohet efekti i inflacionit, dhe sa vjen thjesht nga rritja nominale e të ardhurave dhe kostove të shtetit?
2. A është Projektbuxheti 2027 një buxhet që synon zhvillimin ekonomik dhe transformimin e modelit ekonomik të vendit, apo kryesisht një buxhet i zgjerimit të shpenzimeve publike, pa një strategji të qartë për rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë?
3. Nëse modeli ekonomik i qeverisë është kaq i suksesshëm, përse parashikimi i rritjes reale ekonomike për vitin 2027 zbret në 3.9%, nga 4% që parashikohet për vitin 2026? Ku është transformimi ekonomik që propagandohet, kur ritmi i rritjes jo vetëm që nuk përshpejtohet, por ngadalësohet?
4. A e përkthen ky projektbuxhet rritjen e PBB-së në mirëqenie reale për qytetarët, në rritje të të ardhurave të familjeve dhe në një klimë më konkurruese për biznesin? Cili është treguesi konkret që provon se qytetarët do të jenë ekonomikisht më mirë në fund të vitit 2027 sesa në vitin 2026?
5. A mund të publikojë qeveria një analizë të detajuar mbi sektorët që kontribuojnë në rritjen ekonomike të parashikuar prej 3.9%? Sa është kontributi konkret i industrisë përpunuese, bujqësisë, teknologjisë, eksporteve, ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme? A mbështetet kjo rritje në sektorë prodhues dhe eksportues apo vijon të jetë e varur kryesisht nga ndërtimi dhe aktivitetet me vlerë të ulët të shtuar?
6. A parashikon Projektbuxheti 2027 një strategji konkrete për rritjen e prodhimit vendas, eksporteve, produktivitetit dhe pagave reale, apo mungon ende një politikë ekonomike që nxit prodhimin dhe krijimin e vlerës së shtuar në ekonomi?
7. A është e drejtë shpërndarja e barrës fiskale ndërmjet qytetarëve dhe bizneseve? A krijon sistemi aktual tatimor kushte për konkurrencë të ndershme, nxitje të investimeve dhe formalizim të ekonomisë, apo vijon të rëndojë mbi konsumatorët dhe biznesin e ndershëm?
8. Sa përfiton realisht ekonomia shqiptare nga rritja e investimeve publike? A garantojnë këto investime ndikim afatgjatë në infrastrukturë, produktivitet, punësim dhe zhvillim ekonomik, apo mbeten kryesisht shpenzime pa një analizë të qartë të kthimit ekonomik dhe social?
9. A është bujqësia shqiptare sërish thellësisht e nënfinancuar në këtë projektbuxhet? Duke pasur parasysh gjendjen e vështirë të sektorit, a nuk kërkohet një mbështetje shumë më e madhe buxhetore, e lidhur drejtpërdrejt me prodhimin vendas, formalizimin, modernizimin dhe rritjen e produktivitetit bujqësor?
10. A po investon mjaftueshëm qeveria në arsim, shëndetësi dhe kapitalin njerëzor? A reflekton Projektbuxheti 2027 nevojat reale të këtyre sektorëve, duke pasur parasysh se cilësia e shërbimeve publike dhe formimi profesional janë ndër faktorët kryesorë të zhvillimit afatgjatë të vendit?
11. A është mbështetja e parashikuar për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta e mjaftueshme për të përballuar rritjen e kostos së jetesës dhe për të garantuar një nivel dinjitoz jetese? A reflektojnë politikat sociale nevojat reale të këtyre kategorive?
12. A përfiton pushteti vendor burimet financiare të mjaftueshme për të përmbushur përgjegjësitë dhe sfidat e tij? A është shpërndarja e fondeve ndërmjet pushtetit qendror dhe atij vendor në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë që u janë deleguar bashkive?
13. A garanton Projektbuxheti 2027 transparencë, llogaridhënie dhe kontroll efektiv mbi përdorimin e parave publike? Çfarë mekanizmash konkretë parashikohen për të parandaluar shpërdorimin e fondeve, abuzimet me investimet publike dhe mungesën e përgjegjësisë në administrimin e buxhetit?







