Një tjetër goditje ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje është shënuar në Shkodër. Pas katër muajsh hetime, Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Polinomi 2”, ku janë sekuestruar rreth 77 kilogramë kanabis, armë zjarri, municion dhe pajisje të tjera.
Ndërkohë pranga kanë rënë dy vëllezër, ndërsa djali 24-vjeçar i njërit prej tyre është shpallur në kërkim. Të arrestuarit janë shtetasit Gjovalin Sheja, Kujtim Sheja dhe i shpalluri në kërkim Kristjan Sheja.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë së Shkodrës:
DVP Shkodër/Goditje të njëpasnjëshme ndaj veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Finalizohet pas 4 muajsh hetime me metoda proaktive nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, operacioni i koduar “Polinomi 2”.
Sekuestrohen rreth 77 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 1 armë zjarri pistoletë, 1 pushkë pneumatike, municion luftarak për armë zjarri dhe gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme që i shërbenin veprimtarisë kriminale.
Vihen në pranga 2 shtetas (vëllezër), shpallet në kërkim djali i njërit prej tyre, të dyshuar si pjesëtarë të grupit kriminal që u godit gjatë operacionit “Polinomi”, i zhvilluar disa ditë më parë.
Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë, në vijim të operacionit të koduar “Polinomi”, u finalizua operacioni i koduar “Polinomi 2”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-Gj. Sh., 49 vjeç, banues në fshatin Abat dhe K. Sh., 57 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re (vëllezër), si dhe u shpall në kërkim djali i 57-vjeçarit, shtetasi K. Sh., 24 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në banesën e 49-vjeçarit, ku gjetën dhe sekuestruan 10 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e 57-vjeçarit, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 66.8 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e ndarë në thasë, 1 armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, 1 pushkë pneumatike, municion luftarak për armë zjarri dhe armë gjahu, aksesorë armësh, 1 shkop metalik, 2 radio marrëse-dhënëse, 1 peshore elektronike dhe 3 pajisje optike (2 kamera dhe 1 monokular).
Vijon puna për kapjen e 24-vjeçarit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të këtyre veprimtarive kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.







