Ish-deputeti socialist Pandeli Majko, ka reaguar në lidhje me lajmet që prodhoi fjala e tij e mbajtur në Asamblenë me dyer të mbyllura të Partisë Socialiste. Në media u tha se Majko, kishte folur për video me përmbajtje erotike dhe korruptive, ku përfshiheshin eksponentë të Partisë Socialiste.
Në një reagim të bërë në rrjetet sociale, Majko shprehet se ai nuk ka folur për video me përmbajtje me etorike, por për eksponentë të PS që mund të kenë kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar.
Sipas Majkos, gjatë mbledhjes ai ka kërkuar që personat që kanë lidhje të tilla të largohen nga politika. Ai thotë se në fjalën e tij ka përmendur vetëm një informacion publik për video të sekuestruara nga SPAK.
“Kam folur për kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar. Në mbledhje kërkova që këta njerëz duhet të largohen nga politika”, shkruan Majko.
Ish-deputeti ironizon edhe mënyrën se si, sipas tij, mediat e kanë interpretuar fjalën e tij, duke thënë se është duke i ndjekur me humor raportimet që e paraqesin si të shqetësuar për jetën private apo ndershmërinë e kolegëve socialistë.
Reagimi i plotë i Pandeli Majkos:
“NDJESE E DETYRUAR”…
Po ndjek me humor “daullet” e mediave sipas të cilave në mbledhjen e fundit të asamblesë së PSSH jam “shqetësuar” për erotizmin dhe ndershmërinë e kolegëve të mij socialistë!
Në fakt, në fjalën time në asamblenë kombëtare kam folur PËR KONTAKTET E PAPERSHTATSHME DHE DISKRETITUESE ME KRIMIN E ORGANIZUAR! Në mbledhje kërkova që këta njerëz DUHET TË LARGOHEN NGA POLITIKA!
Në fjalën time përmenda veç një informacion publik për video të sekuestruara nga SPAK! Asnjë fjalë për “erotizmin” apo “videot e seksit”!
I vetmi gazetar që më pyeti për të konfirmuar deklarimet e mija ishte Muhamed Veliu!
Fevziut i pëlqeu më shumë “varianti me seks!” Ky është ai momenti kur kupton se në vendin tonë për një person publik janë më të rënda “videot erotike” se sa KONTAKTET E PAPERSHTATSHME DHE DISKRETITUESE ME KRIMN E ORGANIZUAR!!! Ndjesë për zhgënjimin!







