Një modele e platformës OnlyFans, e cila e kishte shpallur veten si “e dashura më e kërkuar në botë”, përfundoi në një listë tjetër “të kërkuarish”, pasi agjentët e ICE – Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave- e zbritën atë nga një avion në Newark dhe e dërguan në paraburgim.
Vera Dijkmans, 29 vjeçe, u prangos dhe u dërgua në qendrën e paraburgimit “Delaney Hall” me një furgon me xhama të errësuar, pasi mbërriti me një avion nga Miami më 11 nëntor, sipas familjes së saj, raporton New York Times.
Ajo tani ankohet për “ushqimin shumë të dobët” dhe kushtet “jashtëzakonisht jo higjienike” brenda këtij institucioni famëkeq në New Jersey.

Familja e Dijkmans thotë se nuk e kupton pse ajo u ndalua nga autoritetet federale, megjithëse llogaritë e saj në rrjetet sociale, ku ajo numëron 6 milionë ndjekës në Instagram dhe 875,000 të tjerë në platformën për të rritur OnlyFans, ofrojnë një shpjegim.
Sipas medias holandeze AD, nëna e saj deklaroi se ajo ndodhej në SHBA me një vizë turistike, e cila nuk lejon punësimin gjatë qëndrimit. Megjithatë, llogaritë e saj në internet janë të mbushura me “përmbajtje të krijuar” prej saj.
Nëna e saj, Marianne Scholt, shtoi se ajo ishte rrugës për në një event të UFC-së në qytetin e Nju Jorkut, ku planifikonte të krijonte më shumë “përmbajtje”.
Scholt pranoi gjithashtu se Dijkmans kishte humbur së fundmi një takim në emigracion lidhur me aplikimin e saj për “Green Card”.

“Kjo ndodhi sepse ajo udhëton shumë. Gjithashtu, ajo qëndron kryesisht në hotele dhe jo në adresën e saj të përhershme. Ndoshta kjo është arsyeja pse ajo përfundoi në sistemet e ICE-së,” tha Scholt për gazetën.
Scholt udhëtoi drejt SHBA-së për të qenë pranë vajzës së saj dhe u shpreh se ishte thellësisht e tronditur. “Vera ishte në lot dhe mezi e njoha me ato rroba burgu.”
Ajo shtoi: “Liria e saj është kufizuar edhe më tej. Tani asaj i lejohet të telefonojë vetëm për 5 minuta, në vend të 45 minutave. Në total, aty ka vetëm katër telefona për 60 persona.”
Modelja bjonde tërhoqi vëmendjen e mediave edhe vitin e kaluar, pasi pretendoi se kishte marrë kërkesa nga 5,000 burra që dëshironin të dilnin me të.









