Një 17-vjeçare ka denoncuar një mësues në Korçë, duke pretenduar se ai e ka prekur në pjesë intime gjatë një seance stërvitore. Policia ka nisur hetimet dhe ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë
Një tjetër rast i dyshuar i ngacmimit seksual është denoncuar në qytetin e Korçës, ku një 17-vjeçare ka kallëzuar një mësues të shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qirjazi”, duke pretenduar se ai ka kryer veprime me natyrë seksuale ndaj saj.
Sipas informacioneve paraprake, denoncimi është bërë mbrëmjen e kaluar në Komisariatin e Policisë Korçë, ndërsa ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth një muaj më parë, gjatë një seance stërvitore të volejbollit në palestrën e kësaj shkolle.
17-vjeçarja, e cila ishte pjesë e grupit të stërvitjes, ka deklaruar para efektivëve të policisë, në prani të babait të saj dhe psikologes, se mësuesi me inicialet E.C. e ka prekur në pjesë intime gjatë kohës që ajo ndodhej në palestër.
Pas marrjes së kallëzimit, policia ka nisur menjëherë veprimet hetimore për të verifikuar pretendimet e të miturës dhe për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes.
Në kuadër të hetimeve janë siguruar pamjet filmike nga kamerat e sigurisë të vendosura në ambientet e palestrës. Pranë tyre do të kryhet edhe këqyrja e pajisjes DVR, me qëllim verifikimin e lëvizjeve dhe pranisë së personave në momentin kur dyshohet se ka ndodhur ngjarja.
Ndërkohë, mësuesi është shoqëruar në komisariat, ku është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Ai ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij.
Në përfundim të veprimeve paraprake, mësuesi është proceduar në gjendje të lirë, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve.







