Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e 29 shtatorit, përmes të cilit rrëzoi me tetë vota pro kërkesën e Partisë Demokratike për shpalljen antikushtetuese të zgjedhjes së Endrit Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit.
Deputetët demokratë kishin kundërshtuar procesin e zgjedhjes së Shabanit, duke ngritur pretendime për mungesë të meritave, papajtueshmëri me funksionin dhe parregullsi në mbështetjen parlamentare të kandidaturës së tij.
Në arsyetimin e vendimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se dokumentacioni i paraqitur nga Shabani ishte i mjaftueshëm për të dëshmuar njohuritë dhe angazhimin e tij në fushën e të drejtave të njeriut. Po ashtu, rrëzoi pretendimet për papajtueshmëri për shkak të aktivitetit të mëparshëm politik, duke theksuar se ai ishte dorëhequr nga partia “Nisma Thurje” dhe nga Këshilli Bashkiak i Tiranës përpara betimit në detyrë.
Gjykata u ndal edhe te vlefshmëria e firmave mbështetëse të kandidaturës. Sipas saj, Shabani kishte siguruar 35 nënshkrime brenda afatit ligjor, ndërsa kërkesa e deputetëve të PD-së për tërheqjen e tyre, më 5 dhjetor 2025, ishte paraqitur pas përfundimit të afatit dhe nuk mund të prodhonte pasoja juridike.
Në vendim theksohet se deputetët kishin të drejtën të votonin lirisht në seancën plenare, por jo të anulonin një procedurë që tashmë kishte përfunduar.
Në përfundim, Gjykata Kushtetuese nuk konstatoi shkelje kushtetuese në procesin e zgjedhjes së Endrit Shabanit, duke lënë në fuqi vendimin e Kuvendit për emërimin e tij në krye të institucionit të Avokatit të Popullit.









