HomeAktualitet303 kg kokainë të fshehura në mish pule, 4 shqiptarë të arrestuar...

303 kg kokainë të fshehura në mish pule, 4 shqiptarë të arrestuar në Spanjë, drejtohej nga burgu në Shqipëri

Advertismentspot_img

Katër shqiptarë janë arrestuar në Spanjë pas zbulimit të 303 kilogramëve kokainë, ndërsa në qendër të hetimeve është edhe një drejtues i dyshuar që koordinonte trafikun nga burgu në Shqipëri

Një organizatë kriminale e dyshuar për trafikimin ndërkombëtar të kokainës është goditur nga autoritetet spanjolle, pas zbulimit të një ngarkese prej 303 kilogramësh drogë në portin e Algecirasit. Në kuadër të operacionit janë arrestuar gjashtë persona, katër prej të cilëve shqiptarë, ndërsa hetimet kanë zbuluar se rrjeti dyshohet se drejtohej nga një shtetas shqiptar që aktualisht ndodhet në burg në Shqipëri.

Lënda narkotike ishte fshehur në 28 kuti, mes një ngarkese me mish pule të ngrirë, brenda një kontejneri që kishte mbërritur nga Brazili. Sipas mediave spanjolle, organizata kishte bazën në Valencia dhe po përpiqej të krijonte një rrugë të re për transportimin e kokainës drejt Evropës.

Kontejneri mbërriti në portin e Algecirasit më 17 nëntor, me një anije tregtare. Ngarkesa ishte deklaruar për t’u transportuar drejt Kepit të Gjelbër, por plani i organizatës ishte që droga të nxirrej gjatë qëndrimit në port dhe të dërgohej në një vilë në zonën e Los Barrios, pranë Algecirasit.

Policia ndërhyri në momentin kur të dyshuarit po nxirrnin kokainën dhe po përgatiteshin ta ngarkonin në dy automjete. Tre persona u arrestuan në vendngjarje, ndërsa një tjetër shqiptar u kap në afërsi, teksa drejtonte një automjet që shërbente si pararojë për të kontrolluar rrugën.

Dy të arrestuarit e tjerë, të dyshuar si drejtuesit kryesorë të rrjetit në Spanjë, janë shtetasi L. Y., nipi i shtetasit I. Z., dhe krahu i tij i djathtë. Ata u kapën në një kafene pranë portit, ku po prisnin konfirmimin për mbërritjen e ngarkesës.

Sipas hetimeve, shtetasi I. Z. dyshohet se vazhdonte të koordinonte aktivitetin kriminal nga burgu në Shqipëri. Ai ishte arrestuar më parë në Spanjë dhe më pas ishte ekstraduar në vendin tonë. Megjithëse ndodhet pas hekurave, dyshohet se mbante kontakte me bashkëpunëtorët dhe drejtonte organizatën përmes video-telefonatave.

Mediat spanjolle raportojnë se ai u mburrej bashkëpunëtorëve se paguante rreth 10 mijë euro në muaj për të siguruar privilegje dhe kushte luksi në qeli. Sipas pretendimeve të tij, kishte në dispozicion telefona dhe madje edhe një kuzhinier personal.

Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se një person ishte dërguar posaçërisht për të mbikëqyrur nxjerrjen e drogës nga kontejneri. Ai kishte filmuar procesin me një kamera GoPro, ndërsa pamjet u ishin përcjellë drejtuesve të organizatës. Pagesa për personat e përfshirë në nxjerrjen dhe transportimin e kokainës ishte parashikuar të kryhej përmes kriptomonedhës USDT.

Sasia prej 303 kilogramësh kokainë nuk ishte objektivi përfundimtar i organizatës, por një provë për të testuar një rrugë të re trafikimi drejt Evropës. Sipas hetuesve, grupi synonte të transportonte përmes portit të Algecirasit deri në një ton kokainë në javë, ose rreth katër tonë në muaj, duke përdorur ngarkesa të ligjshme për të fshehur lëndën narkotike.

Organizata dyshohet se kishte diskutuar gjithashtu transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Brazili, Kolumbia, Panamaja dhe Ekuadori. Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë aktivitetin e rrjetit kriminal, rolin e personave të arrestuar dhe mënyrën se si drejtuesi i dyshuar në Shqipëri arrinte të komunikonte me bashkëpunëtorët e tij nga burgu.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
Advertismentspot_img
RELATED ARTICLES
Advertismentspot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular