10 persona kanë rënë në prangat e policisë në Shkodër, pas një operacioni anti-drogë. Policia ka zbuluar një ambient të përshtatur për kultivimin e lëndëve narkotike, brenda një magazine në zonën e quajtur “Kanali i Drinit”.
Droga kultivohej në bodrumin e magazinës, nëpërmjet llambave, teksa në një pjesë tjetër, ajo përpunohej. Në këtë ambient, u gjetën 2600 bimë kanabis të kultivuara në vazo dhe 170 kg lëndë narkotike kanabis e përpunuar, e ambalazhuar në 10 thasë plastikë.
Të arrestuarit janë Endrit Kovaçi, Ronaldo Dule, Fatmir Luka, Ervin dhe Anton Toli, Agim Kovaçi, Arben Guri, Artur Lika. Po ashtu edhe dy vajza, Dorjana Kovaçi dhe Migena Perçi. Sipas policisë, Artur Lika ishte shpallur më herët në kërkim.
Njoftimi i policisë:
DVP Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Labirinti”.
Zbulohet një ambient nëntokësor me hyrje të kamufluar, i përshtatur për kultivimin e kanabisit me anë të llambave dhe për përpunimin e lëndës narkotike. Arrestohen në flagrancë 10 shtetas, njëri prej të cilëve rezulton i shpallur në kërkim nga DVP Shkodër. Sekuestrohen rreth 2 600 bimë kanabis të kultivuara në vazo dhe 170 kg lëndë narkotike kanabis e përpunuar, e ambalazhuar në 10 thasë plastikë.
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Labirinti”.
Në kuadër të këtij operacioni, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, u ushtruan kontrolle në dy objekte në zonën e quajtur “Kanali i Drinit”.
Gjatë kontrollit në njërin prej objekteve, një magazinë, shërbimet e Policisë zbuluan një hyrje të kamufluar që të çonte në një ambient nëntokësor. Ambienti ishte i ndarë në dy pjesë, njëra e përshtatur për kultivimin e kanabisit me anë të llambave dhe tjetra për përpunimin e lëndës narkotike.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë 10 shtetasit e konstatuar në këtë ambient:
-D. K., 36 vjeçe, dhe M. P., 38 vjeçe, të dyja banuese në Gjirokastër;
-A. K., 61 vjeç, E. K., 41 vjeç, dhe R. D., 28 vjeç, të tre banues në Cërrik;
-A. G., 37 vjeç, banues në Tiranë;
-A. L., 46 vjeç, banues në Poliçan;
-F. L., 18 vjeç, dhe A. T., 30 vjeç, të dy banues në Ishull-Lezhë;
– E. T., 25 vjeç, banues në Mirditë.
Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. L., 46 vjeç, ishte shpallur në kërkim nga DVP Shkodër.
Gjatë kontrollit në këto ambiente u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rreth 2 600 bimë të dyshuara narkotike kanabis, si dhe 170 kg lëndë bimore e përpunuar, e ambalazhuar në 10 thasë plastikë.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në të.









