Fëmijët nuk ishin paraqitur në shkollë, çka bëri që një e njohur e familjes të shkonte në banesë. Dy fëmijët që mbijetuan janë në gjendje të rëndë
Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Keh l në Gjermaninë jugperëndimore, ku pesë anëtarë të së njëjtës familje janë gjetur të pajetë në apartamentin e tyre. Mes viktimave janë babai 46-vjeçar, gjyshja 74-vjeçare dhe tre fëmijë të moshës 10 deri në 14 vjeç. Dy fëmijë të tjerë të familjes, një djalë dhe një vajzë, kanë mbijetuar, por kanë marrë plagë të rënda dhe janë dërguar me helikopterë në spitale të specializuara për trajtim mjekësor.
Ngjarja është zbuluar paraditen e së hënës, pasi disa prej fëmijëve nuk ishin paraqitur në shkollë. Sipas mediave gjermane, një e njohur e familjes ka shkuar në banesë për të parë se çfarë kishte ndodhur, por pasi nuk ka marrë përgjigje nga askush, është kërkuar ndërhyrja e policisë.
Kur efektivët dhe dëshmitarja kanë tentuar të hyjnë në apartament, janë përballur me praninë e gazit. Një efektiv policie dhe dëshmitarja kanë pësuar helmim të lehtë dhe janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Për shkak të dyshimeve për rrjedhje gazi, në vendngjarje janë thirrur zjarrfikësit, të cilët kanë hyrë në banesë me pajisje mbrojtëse. Gjatë ndërhyrjes, pajisjet e tyre paralajmëruese kanë sinjalizuar praninë e monoksidit të karbonit. Pas kontrollit të apartamentit, ekipet e emergjencës kanë gjetur pesë anëtarët e familjes pa shenja jete.
Sipas televizionit publik gjerman SWR, zjarrfikësit dyshojnë se në banesë ka pasur një rrjedhje të monoksidit të karbonit. Megjithatë, shkaku i saktë i ngjarjes mbetet ende i paqartë dhe autoritetet po hetojnë nëse bëhet fjalë për një defekt teknik apo nëse pas ngjarjes mund të fshihet një vepër penale.
Hetimet po zhvillohen nga policia kriminale dhe Prokuroria e Offenburgut, me përfshirjen edhe të specialistëve të Zyrës së Kriminalistikës së Landit. Autoritetet kanë bërë të ditur se do të informojnë publikun në rast të zbulimit të detajeve të reja.
Ndërkohë, zjarrfikësit kanë kontrolluar edhe apartamentet e tjera të pallatit për të përjashtuar çdo rrezik për banorët. Sipas mediave gjermane, rreth 30 zjarrfikës janë angazhuar në operacion, ndërsa banorëve të tjerë të ndërtesës u është ofruar ndihmë dhe një strehim i përkohshëm nga bashkia e qytetit.
Kryebashkiaku i Keh l, Wolfram Britz, e ka cilësuar ngjarjen si një tragjedi familjare, duke shprehur ngushëllimet për të afërmit e viktimave dhe duke uruar shërim për dy fëmijët e plagosur.
Një prej elementeve që e bën edhe më të rëndë ngjarjen është fakti se monoksidi i karbonit është një gaz pa ngjyrë, pa erë dhe pa shije, çka e bën të vështirë zbulimin e tij pa pajisje të posaçme. Ekspozimi ndaj përqendrimeve të larta mund të shkaktojë helmim të rëndë dhe të çojë deri në humbjen e jetës.









