Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka zhvilluar një takim me Drejtoreshën e Përgjithshme të Eurostat-it, Mariana Kotzeva, në kuadër të vizitës së saj në Shqipëri. Në takim morën pjesë gjithashtu Drejtoresha e INSTAT-it, Lantona Sado, Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, zNatasha Ahmetaj, si dhe përfaqësues të të dyja institucioneve.
Biseda u përqendrua në përparimin e Shqipërisë në përafrimin e statistikave zyrtare me standardet e Bashkimit Evropian, bashkëpunimin ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT-it në kuadër të Sistemit Kombëtar Statistikor, si dhe përgatitjet për integrimin e statistikave shqiptare në Sistemin Statistikor Evropian.
Guvernatori Sejko vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Eurostat-it, e cila, përmes programeve të ndryshme ka ndihmuar Bankën e Shqipërisë të përafrojë metodologjitë dhe praktikat e saj statistikore me standardet evropiane.
Ai theksoi se hartimi i statistikave monetare, financiare dhe të sektorit të jashtëm është pjesë e mandatit ligjor të Bankës së Shqipërisë, e cila është një nga prodhueset kryesore të statistikave zyrtare në vend. Përmbushja e kërkesave statistikore të Bankës Qendrore Evropiane është gjithashtu pjesë e përgatitjeve të Bankës së Shqipërisë për anëtarësimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.
Duke u ndalur te rezultatet e këtij bashkëpunimi, Drejtoresha e Përgjithshme të Eurostat-it, Mariana Kotzeva shprehu se Eurostat-i ka vlerësuar me një shkallë të lartë përputhshmërie statistikat e bilancit të pagesave, të pozicionit të investimeve ndërkombëtare dhe të investimeve të huaja direkte.
Gjithashtu, në kuadër të procesit të integrimit evropian, Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, lidhur me Kapitullin 18 “Statistikat” evidenton përmirësimin e koordinimit në Sistemin Kombëtar Statistikor, pas nënshkrimit të memorandumit të ri të mirëkuptimit ndërmjet INSTAT-it dhe Bankës së Shqipërisë, si dhe të marrëveshjes trepalëshe ndërmjet këtyre institucioneve dhe Ministrisë së Financave.
Në përmbyllje, Guvernatori Sejko rikonfirmoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të vijuar përafrimin me standardet statistikore të Bashkimit Evropian.









