Konfrontimet mes tifozëve të Beshiktashit me policinë gjeorgjiane në stadium kanë tërhequr vëmendje të jashtëzakonshme. Shkak u bë hapja në stadium e flamurit të Palestinës nga ana e tifozëve turq, një gjest që u mor si provokim nga ana e skuadrës kundërshtare dhe tifozëve të saj, izraelitëve të Hapoel Beer Sheva.
Për shkak të raporteve jo të mira Izrael-Turqi, ndeshja midis dy skuadrave zhvillohej në Gjeorgji. Gjesti i tifozëve turq ka shkaktuar një reagim të ashpër nga ana e policisë gjeorgjiane, ku dhuna dhe konfrontimet nuk kanë munguar. Përballja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet. Në lojë është futur politika dhe diplomacia.
Pamjet e shpërndara në rrjetin X konfirmuan se Ministri i Brendshëm i Turqisë, Mustafa Çiftçi, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij gjeorgjian, Sulkhan Tamazashvili, për të folur në lidhje me këtë çështje.
Gjithashtu është bërë e ditur se për të njëjtën çështje, Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, ka zhvilluar bisedë telefonike me homologen e tij gjeorgjiane, Maka Boçorishvili.









