Lulzime Faria është emri që ka tërhequr vëmendjen pas prezantimit të nismës së re politike “Të Bashkuar për Shqipërinë”, e cila u bë publike ditën e djeshme më 26 nëntor, duke u prezantuar si një lëvizje e dalë nga protestat e zhvilluara prej 180 ditësh.
Po kush është Lulzime Faria? Në vitin 2018 ajo ishte pjesë e konkursit të bukurisë “Miss Shqipëria”, ku u vlerësua me çmimin “Miss Miqësia”.
Pas eksperiencës në modeling, Faria shfaqet tashmë në një angazhim të ri, këtë herë në politikë, duke prezantuar projektin për krijimin e një partie të re, e cila sipas saj synon të përfaqësojë qytetarët, studentët dhe të rinjtë që kërkojnë ndryshim.

Gjatë prezantimit të nismës, ajo bëri të ditur se në këtë projekt janë përfshirë studentë, pedagogë, profesionistë dhe të rinj nga fusha të ndryshme.
Partia “Të Bashkuar për Shqipërinë” prezanton si parime kryesore transparencën, llogaridhënien dhe kufizimin e mandateve drejtuese, duke deklaruar se themeluesit nuk do të kenë privilegje dhe se donatorët nuk do të ndikojnë në vendimmarrje.

“Jemi këtu për të lajmëruar krijimin e partisë. Partia Të bashkuar për Shqipërinë. Për 180 ditë kemi treguar se Shqipëria nuk është lodhur. Partia “Të Bashkuar për Shqipërinë” do u ofrojë atyre një rrugë kushtetuese për vendosjen e shtetit të së drejtës. Do jemi me ju në qytete dhe fshatra. Duam të bashkojmë zërat dhe vullnetin e shqiptarëve. Ne nuk bëjmë premtime ne vendosim standarde. Besimi nuk kërkohet ai fitohet. Shqiptarët meritojnë një politikë që u nënshtrohet të njëjtave standardeve”, tha një ditë më parë Faria para mediave.
Megjithatë, gjatë komunikimit me gazetarët, ajo tha se emrat e personave që qëndrojnë pas kësaj nisme dhe strukturën e saj drejtuese do të publikohen ne vijim.

“Ka pedagogë dhe individë që janë të aftë në fusha të ndryshme që duan të kontribuojnë dhe duan të bëhen pjesë e kësaj partie. Kemi nisur me mbledhjen e firmave në ditët në vijim ne do jemi në shesh, do tu ofrohemi qytetarëve për të dhënë firmat e tyre. Ne do kemi dalje publike, unë jam një nga individët e ekipit dhe do tu bëjmë publike emrat dhe CV e personave që janë bashkuar dhe do të bashkohen. Kjo është një parti e nisur nga studentët”, tha ajo para mediave.









