Vdekja e një ish-sportisti 32-vjeçar, vetëm pak orë pasi ishte shtruar në një klinikë psikiatrike në Zagreb, ka shkaktuar zemërim të madh në Kroaci. Pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat dokumentojnë dhunën e ushtruar ndaj tij nga pjesëtarë të personelit shëndetësor, kanë nxitur protesta masive dhe kanë rikthyer në vëmendje denoncimet për kushtet e trajtimit të pacientëve në institucionet psikiatrike të vendit.
Kristian Josip Perish humbi jetën vetëm pak orë pas shtrimit në klinikë. Në një video tetëminutëshe, e cila ka dalë në publik, shihen pjesëtarë të stafit duke e goditur 32-vjeçarin në kraharor dhe duke i vendosur një jastëk në fytyrë, ndërsa ai përpiqet të çlirohet nga rripat me të cilët ishte lidhur për të mos lëvizur.
Autoritetet kanë nisur një hetim për vrasje me dashje, ndërsa disa pjesëtarë të personelit shëndetësor janë arrestuar. Ndërkohë, drejtuesit e klinikës kanë paraqitur dorëheqjen.
“Gjatë 40 viteve të raportimit për çështjet policore, rrallë kam parë diçka kaq të tmerrshme”, deklaroi për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) gazetari Dushan Miljus i gazetës “Jutarnji list”, e cila bëri publike ngjarjen.
Pas publikimit të rastit, gazetari ka marrë një numër të madh dëshmish nga persona që pretendojnë se kanë përjetuar trajtime të ngjashme.
Një 49-vjeçar, ish-pacient i së njëjtës klinikë, ka denoncuar për AFP-në, duke kërkuar të ruajë anonimatin, se kishte përjetuar një abuzim të ngjashëm në vitin 2023.
Sipas dëshmisë së tij, një infermier e kishte “mbytur me jastëk” dhe e kishte “goditur përmes tij”, ndërsa ai ishte i lidhur në shtrat.
Në një rast tjetër, i njëjti infermier, sipas 49-vjeçarit, i kishte vendosur bërrylin në qafë dhe e kishte kërcënuar. Ai pretendon se punonjësi i kishte kërkuar të mos bënte denoncim, duke e paralajmëruar se “gjërat mund të bëheshin vetëm më keq”.
AFP kontaktoi spitalin për të marrë një reagim lidhur me këto akuza, por nuk mori përgjigje.
Shoqata e Infermierëve të Kroacisë e cilësoi videon e kamerave të sigurisë si “jashtëzakonisht shqetësuese”, duke theksuar se metodat e përdorura për kufizimin e lëvizjeve të pacientit ishin të ndaluara dhe përbënin shkelje të kodit të etikës profesionale.
Pacientët kanë frikë të kërkojnë ndihmë
Presidentja e Shoqatës Kroate të Organizatave të Shëndetit Mendor (SUMEZ), Davorka Vukandin, deklaroi për AFP-në se dhuna e ushtruar në klinikën psikiatrike të Zagrebit “nuk ishte një rast i izoluar”.
Sipas saj, disa institucione të shëndetit mendor përballen me mungesë të theksuar të personelit, ndërsa mbrojtja e të drejtave të pacientëve të shtruar nuk garantohet në mënyrë të mjaftueshme.
Një tjetër shqetësim serioz, theksoi ajo, është fakti se frika nga keqtrajtimi i pengon personat me probleme të shëndetit mendor të kërkojnë ndihmën për të cilën kanë nevojë.
Vdekja e 32-vjeçarit ka tronditur opinionin publik në Kroaci, duke nxitur protesta në disa qytete të vendit.
Fundjavën e kaluar, mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin qendror të Zagrebit, në përgjigje të thirrjes së familjes së Perishit, e cila kërkon vendosjen e drejtësisë.
Shumë prej protestuesve mbanin në duar jastëkë të bardhë, disa prej të cilëve kishin gjurmë duarsh të përgjakura. Ky gjest simbolik synonte të tërhiqte vëmendjen ndaj rrethanave në të cilat humbi jetën 32-vjeçari.
“Jastëku vendoset poshtë kokës së pacientit, jo mbi fytyrën e tij. Duke ngritur mijëra jastëkë, le të kërkojmë që kjo të mos ndodhë më kurrë!”, kishte shkruar familja e tij në një faqe interneti të krijuar në kujtim të 32-vjeçarit.
Raporti i vitit 2023 zbuloi një pacient të mbajtur të kufizuar për më shumë se tetë ditë
Problemet në institucionet psikiatrike të Kroacisë ishin evidentuar që në vitin 2023, në një raport të Komitetit të Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor apo Poshtërues (CPT).
Gjatë inspektimit në tri institucione psikiatrike të vendit, komiteti kishte konstatuar praktika të kufizimit fizik të pacientëve, të cilat i kishte cilësuar si “të tepruara, shumë të shpeshta dhe të zgjatura pa arsye”.
Ndër rastet e përfshira në raport ishte edhe ai i një pacienti, i cili ishte mbajtur i kufizuar fizikisht për 208 orë rresht, ose më shumë se tetë ditë.
“Një i ri humbi jetën në mënyrë të dhunshme, në një vend ku duhej të kishte marrë ndihmë”, deklaroi mes lotësh Dragica Horvat, e cila mori pjesë në protestën e zhvilluar në Zagreb.
“Shpresoj vetëm që kjo tragjedi të shërbejë si një pikënisje për të ndryshuar diçka”, shtoi ajo.









