Nga Petrit Nika
Këtë foto e gjeta në google map dhe aty lart me shënim është bërë nga unëpër të evidentuar ballkonin e dhomës 510 të godinës 22 prej nga shpesh hidhja vështrimin me mërzi mbi pamjen e zymtë të Qytetit Studenti në vitin 1996 – 1997. Gjenerata ime u bë banore e QS 6 vjet më vonë, pas ngjarjeve të mëdha që e karakterizuan dhjetorin e Qytetit Studenti dhe të krejt Shqipërisë në vitin 1990. Ne nuk ishim gjenerata “fatlume” e ndryshimit, ndonëse asgjë nuk kishte ndryshuar në godina ende, që nga dyert, krevatet me ato sustat shkatarraqe të lidhura me tela, dyshekët me njolla, çarqafët me stampat e Ndërmarrjes së trajtimit studentor, batanijet treçerekëshe të “ngrëna” në vite nga student të ndryshëm, të cilët i kishin prerë për të fshirë këpucët, raftet e rrobave, etazherët e çuditshëm për libra e deri tek banjot allaturka në fund të korridoreve të çdo kati. Asgjë e kësaj natyre ende nuk kishte ndryshuar, dhe pse fillesa e protestave të rinisë studentore në dhjetor të vitit 1990 qe pikërisht nevoja për të filluar të ndryshojnë pikërisht jetën e rinisë. Tashmë studentët e kishin fituar njërën betejë, atë të rrëzimit të sistemit, por atë betejën për të cilën u mblodhën në fillim, pra përmirësimin e kushteve të jetesës, nuk e kishin fituar ende. Dhe kjo betejë tashmë nuk ishte më në listën e “luftërave” të afërme. Që këtu dukej sa e pasinqertë u tregua klasa politike pluraliste që lindi pikërisht nga problemet e rinisë me sistemin. Unë asokohe jetoja ende me naivitetin dhe keqardhjen pse nuk kisha qenë pjesë e asaj lavdie të asaj gjenerate, QS më kishte rënë në pjesë pikërisht në një kohë kur asgjë nuk po ndodhte më dhe gjithçka i ngjante një fortese Bastiani. Nuk mund ta konceptoja ende thelbin e asaj që ndodhi me gjeneratën e studentëve dhjetoristë: protesta e tyre ishte tejet legjitime, tejet e rrezikshme në një vend e në një kohë kur nuk mund të lejohej kurrësesi protesta, por fatkeqësisht ajo u vodh dhe e ndryshoi drejtimin ende pa lindur, ende pa u formësuar. Hera e fundit që e kam vizituar QS ka qenë në gusht të vitit 2005, pra 5 vjet pasi isha larguar përgjithmonë si banor i tij. Edhe atëherë nuk pashë asgjë që të më ngjallte shpresën se dikush e kishte marrë seriozisht aspiratën studentore. Përveç shtimit marramendës të qendrave të biznesit dhe pakësimit të hapësirave publike, nuk vura re asnjë ndryshim tjetër. Për ne Dita e Rinisë lidhet pikërisht me këtë qytet. Nuk di kur do vijë koha që politika shqiptare t’i kthejë borxhin që i ka këtij qyteti dhe rinisë që tani po plaket pa e gëzuar mirënjohjen dhe shpërblimin për çka i dha këtij vendi, në një kohë kur të gjithë të tjerët po e braktisnin nga toka e deti.