Nga Shefqet Bruka
Kohët e fundit Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, dy nga njerëzit më me pushtet në Shqipëri, janë përqëndruar në një aksion politik që përmban pesë fjalë kyçe: Krusha e Madhe, Milaim Bellanica, Kaseta, Kukës, Lulzim Basha. Në aksionin e tyre, ata po përdorin me mjeshtëri jo vetëm median dhe rrjetet sociale pranë dhe në varësi të tyre, por edhe takimet publike. Aksionin e tyre na e bëri lehtësisht të kuptueshëm ish kryeministri i vitit 1999, Pandeli Majko, kur tha: “Retorikë, jemi përpara zgjedhjeve.” Ndërkohë, shkrimtari i njohur Kim Mehmeti e sheh më në detajë lakuriqësinë e aksionit të tyre, kur thotë “PS dhe Rilindja ka filluar ta përdorë Kosovën si gomë rezervë. Sa herë që makina i bllokohet Piktorit në Tiranë, ai bën si atdhetar”. Prononcimet e sipërcituara për mua si qytetar janë mëse të mjaftueshme për të kuptuar hallin e tyre dhe për të mos u kushtuar aspak kohë dhe vëmendje deklaratave dhe thirrjeve të tyre “patriotike”, por si ish Kryetar i Rrethit Kukës, drejtues i një nga institucioneve kryesore në menaxhimin e krizës së vitit 1999, kam detyrimin para shqiptarëve dhe sidomos para rinisë dhe qytetarëve të mi Kuksianë të prononcohem dhe të informoj mbi atë çfarë di dhe si kanë rrjedhur ngjarjet në atë fund marsi e fillim prilli të vitit 1999.
Në atë kohë në cilësinë e Kryetarit të Rrethit Kukës kam qenë i mirëinformuar mbi atë që po ndodhte në Kosovë dhe sidomos në qytetet dhe fshatrat në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Si unë, të informuar kanë qenë Prefekti, Kryetari i Bashkisë dhe kolegët tanë në Has dhe Tropojë. Burimet e informacionit ishin të shumta, përfshi këtu luftëtarë të UÇK-së dhe FARK-ut, banorë të Kosovës të ardhur në Kukës, banorë të zonës kufitare dhe përfaqësuesit e tyre, institucione përgjegjëse për kufirin, misione ndërkombëtare dhe gazetarë të mediave të ndryshme. Informacionet arrinin në çdo minutë dhe për shumë çështje dhe problematika nga më të ndryshmet. Pa u tharë boja në letër e informacionit të parë, duhet të përballeshim me arritjen e dhjetëra informacioneve të tjera që kërkonin veprim dhe vendimmarrje nga ne. Në takimin e datës 27 Mars me Presidentin Mejdani dhe Kyeministrin Majko në zyrën e Prefektit, bazuar në informacionet që kisha kam thënë: “Sonte ka mundësi që të arrijnë në Kukës shqiptarë të dëbuar dhe të keqtrajtuar nga ushtria serbe. Në hapësirën Gjakovë-Prizren po digjen fshatra të tërë dhe ka informacione se ka të vrarë.” Atë ditë, pasi drejtuesit e shtetit morën rrugën e kthimit për në Tiranë, akoma pa kaluar tunelin e Fushë Arrëzit, në Kukës mbërritën mbi 5 mijë banorë të Kosovës. Ata vinin nga 18 fshatra dhe 2 qytete. Në listën e formuluar me shkrim dore nga unë në mbrëmjen e 27 Marsit, Krusha e Madhe është e para. Lista ju është shpërndarë të gjithë gazetarëve që ishin atë natë në Kukës dhe kam informuar publikun nëpërmjet medias lokale dhe intervistave që kam dhënë atë natë në TVSH, SHIJAK TV dhe Radio Kontakti. Shqetësimi më i madh i të ardhurëve nga Kosova atë natë në Kukës ishte fati i të rinjve dhe të rejave që serbët kishin ndarë nga ta.
Gjatë 8 ditëve nga data 27 Mars deri me datë 3 Prill, ditë kur BBC mori kasetën nga Milaim Bellanica, Kukësi u kthye në qendër botërore për menaxhimin e krizës. Arritën mediat më të zëshme botërore, erdhën dhjetëra OJQ, përfshi Human Rights Watch (HRW), Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe Gjysmëhëna e Kuqe. Gjithashtu filluan punën tre agjenci të OKB (UNHCR, WFP dhe UNICEF). Brenda 8 ditëve në Kukës arritën mbi 200 mijë banorë të Kosovës të cilët vinin nga të gjithë zonat e vendit, dhe mes tyre kishte dhjetëra deshmitarë që kishin parë me sy dhe përjetuar krimet dhe masakrat serbe. Ata filluan të dëshmojnë para misioneve të huaja dhe gazetarëve masakrat serbe; dëshmitë e tyre ishin të tmerrshme dhe gati-gati të pabesueshme. Në ato ditë fillim prilli në Kukës u përvijuan dy linja, ajo humanitare për të pritur, ushqyer dhe strehuar të ardhurit nga Kosova dhe linja e evidentimit dhe e informimit të botës demokratike mbi mizoritë dhe masakrat serbe. Gazetarët dhe media lokale (Radio dhe TV Kukësi) nuk kishin ditë që nuk jepnin deshmi mbi masakrat serbe ndërsa mediat dhe misionet nderkombëtare filluan të raportojnë për krimet serbe dhe specifikisht për krimet në Krushë të Madhe nga data 30 Mars. Këtu dua të veçoj Human Rights Watch, SNN (Christiane Amanpour), New York Times (John Kifner).
Transmetimi nga ana e BBC e kronikës së përgatitur nga George Alagiah ku pjesa kryesore e saj ishte video e ofruar nga Milaim Bellanica krijoi në Kukës një tension dhe përshtjellim të lartë. Nga njera anë, kishim të ardhurit nga Kosova të cilët kërkonin të dinin më shumë për fatin e të afërmve të tyre dhe nga ana tjetër qindra gazetarë që kërkonin informacione më shumë për Krushën e Madhe. Me kasetën e Milaimit dy gjëra u bënë mëse të qarta: së pari denoncimi i mizorive serbe kaloi të vërtetën nga disa dëshmi individuale të njerëzve në prova filmike, dhe së dyti kronika e BBC i dha Perëndimit modelin se si serbët po bënin krimet dhe masakrat në Kosovë. Kronika e George Alagiah e trasmetuar nga BBC u mor dhe u shfaq nga e gjithë media botërore. Në Kukës në atë kohë nuk kishte internet, bile për t’u lidhur me telefon me Tiranën duhej të thërrisje fillimisht centralin e Kukësit. Megjithatë shumica e kuksianëve kishin antena satelitore dhe së bashku me shqiptarët e Kosovës që ishin strehuar në familjet e tyre, panë jo një herë por disa herë dhe në disa kanale televizive masakrën dhe barbaritë serbe. Në atë fillim prilli dy ishin heronjtë e Kukësit, Kosovës dhe mbarë Shqiptarëve: Milaim Bellanica që bëri filmimet dhe George Alagiah që përgatiti kronikën e transmetuar nga BBC. Të dyve Shqiptarët duhet t’u jenë mirënjohës dhe sidomos Milaim Bellanicës i cili në ato ditë tmerri pati deklaruar: ketë e kam bërë që brezat e ardhshëm kurrë të mos harrojnë krimet Serbe. Në ato ditë dy gjëra më patën lënë shije jo të mirë, së pari deklarata e zëdhënësit të NATO-së, Jamie Shea, i cili paralajmëroi se vërtetësia e videos duhej akoma të kontrollohej, dhe së dyti ATSH-ja e cila në lajmet e shpërndara prej saj në anglisht nuk përfshiu as videon e Milaimit dhe as dhjetëra dëshmi mbi masakrat serbe në Krushë të Madhe, me përjashtim të një dëshmie nga Gjirokastra. Konstatimi im në lidhje me ATSH-në u bë pas këmbënguljes së gazetarëve të grupit Mediaset, të cilët më kërkuan dy herë se çfarë lajmi ka shpërndarë ATSH për masakrën e Krushës. Dyshimet apo paralajmërimet e Jamie Shea rezultuan pa asnjë bazë sepse çdo gjë që kish filmuar dhe treguar Milaim Bellanica ishin mëse të verteta. Çdo gjë u konfirmua brenda javës së parë të çlirimit të Kosovës kur Departamenti i Shtetit me 15 Qershor njoftoi gjetjen nga ana paqeruajtësve ndërkombëtarë (KFOR) të eshtrave të 20 shqiptarëve në Krushë të Madhe, dhe me 19 Qershor gjetjen nga ekspertët Britanikë të mjekësisë ligjore të 100 trupave si dhe të shumë provave të mizorisë serbe në Krushë të Madhe. Janë këto prova që së bashku me dhjetëra prova dhe dëshmi të tjera të grumbulluara nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ose ndryshe Tribunali i Hagës (ICTY) që shërbyen për ngritjen e akt-akuzës kundër Millosheviçit dhe katër drejtuesve të lartë serbë. Në akt-akuzë është përfshirë data dhe lista e 105 të vrarëve si dhe gjithë skenari i masakrës. Sipas akt-akuzës skenari i masakrës fillon me veçimin e burrave dhe djemve nga gratë e fëmijët dhe urdhërimi i këtyre të fundit për t’u larguar për Shqipëri; dhe vazhdon me kontrollin e burrave dhe djemve, marrjen e dokumentave të identifikimit, hapjen zjarr në turmë dhe djegien e kufomave. Skenar i mirëmenduar dhe ekzektuar nga këta përbindasha!
Deshmitë e shumta të transmetuara në media për krimet makabre nga ushtria serbe në Kosovë rritën dukshëm jo vetëm ankthin dhe tensionin në Kukës për fatin e qindra vëllezërve nga Kosova që nuk kishin arritur të vinin, por rritën në mënyrë të menjëhershme presionin tek shteti shqiptar dhe shtetet anëtare të NATO-s për të evidentuar, hetuar dhe ndëshkuar shkaktarët e këtyre krimeve. Shteti Shqiptar ndërmori dy nisma që në atë kohë ishin mëse të mirëpritura dhe krijonin besim se shkaktarët një ditë do të përgjigjeshin. Së pari qeveria nëpërmjet Ministrisë së Informacionit u angazhua të grumbullonte të gjitha faktet e botuara në media ose të mbledhura nga burime të ndryshme dhe t’i paraqiste para opinionit publik ndërkombëtar. Së dyti shteti shqiptar nëpërmjet Prokurorisë së Përgjithshme u angazhua të grumbullonte deshmitë, faktet dhe të kryente hetime mbi krimet Serbe, madje për ketë Prokurori i Përgjithshëm lëshoi urdhër për të gjithë prokuroritë e rretheve që të fillonin menjeherë hetimet. Pas grumbullimit të dëshmive dhe fakteve me datë 26 Prill, zyra e Prokurorit të Përgjthshëm njoftoi se ju kanë dorëzuar përfaqësuesve të Tribunalit të Hagës , qindra dëshmi të grumbulluara dhe mes tyre disa kaseta dhe fotografi. Sot për të qetësuar banorët e Krushës së Madhe që politika e Tiranës në mënyrën më të keqe të mundshme dhe shumë dhunshëm ju ka trazuar plagët e dhimbshme të 25 Marsit 1999, është mëse e udhës të bëhen publike ca të dhëna nga dy anagazhimet e sipërcituara të shtetit shqiptar. Banorët e Krushës së Madhe dhe çdo shqiptar kërkojnë nëse ka ndonjë rresht për Krushën e Madhe në përmbledhjen që ka bërë Ministria e Informacionit, gjithmonë nëse e ka bërë një përmbledhje të tillë sipas angazhimit publik të saj. A është përfshirë në përmbledhje videoja e Milaim Bellanicës e transmetuar nga BBC dhe dhjetëra dëshmitë e tjera për krimet në Krushë të Madhe të publikuar nga media lokale e Kukësit, kombëtare dhe botërore? Në mes atyre qindra dëshmive të grumbulluara nga Prokuroria, a kishte ndonjë dëshmi për Krushën e Madhe? Prokuroria Shqiptare a i ka marrë dëshmi Milaim Bellanicës? Nëse po, a ishte dëshmia e tij në mes qindrave dëshmive të grumbulluara nga Prokuroria? A ishte mes atyre kasetave të dorëzuara tek përfaqësuesit e Tribunalit të Hagës edhe kaseta e Milaim Bellanicës?
Publikimi nga media i qindra dëshmive mbi masakrat Serbe në Kosovë shkaktoi edhe një tërmet të fortë presioni në misionet ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, të cilët dërguan në Kukës ekipe për të evidentuar, grumbulluar dhe hetuar krimet. Në mes të misioneve më të rëndësishmit ishin HRW, OSBE dhe Tribunali i Hagës. Ndërkohe OSBE kishte vite që ishte prezente dhe njihej prej kuksianëve si mision me kontribute domethënëse në çështjen e Kosovës. HRW erdhi në ditët e fundit të Marsit dhe filloi të publikonte menjëherë raportet e saj mbi krimet serbe. HRW-ja me datë 2 Prill citon për herë të parë masakrën e Krushës së Madhe bazuar në dëshminë e 6 refugjatëve, ndërkohë me datë 4 Prill publikoi një raport vetëm për Krushën e Madhe. Raporti bazohet në videon e publikuar me datë 3 nga BBC dhe intervistën me Milaim Bellanicës. Në këtë raport jepen emrat e 26 të vrarëve sipas evidentimit të Milaimit. Ndërsa përsa i perket Tribunalit të Hagës, zyrtarisht ai erdhi në Shqipëri në mes të Prillit (jo në ato ditë kur BBC transmetoi videon) kohë kur përfaqësuesit e tij (Frank Dutton dhe Clint Eilliamson) vizituan Tiranën dhe u pritën nga kryeministri Majko, i cili ju deklaroi mbështetjen e qeverisë Shqiptare dhe angazhimin e saj për të zbuluar të vërtetën për krimet e bëra nga Millosheviçi. Interesante ishte deklarata e kryeministrit “se anëtarët e Qeverisë do të jenë të gatshëm të dëshmojnë në gjykatën e Hagës për këto krime“. Nuk e di se sa anëtarë të kabinetit Majko kanë dëshmuar deri tani në Hagë, apo thjeshtë ka qenë deklaratë për konsum të brendshëm…
Nuk është njerëzore që metamorfozën e thellë që ka pësuar heroi i Mars-Prill 1999 Milaim Bellanica ta shfrytëzojë për qëllime të mbrapshta politika e Tiranës. Unë dhe shumë si unë që vijmë nga fusha e mjekësisë e kuptojnë metamorfozën e tij por personalisht nuk po arrij të kuptoj mos reagimin e mjekëve të Kosovës dhe aksionin e çetës së “patriotëve” të Tiranës (politikanë, gazetarë dhe analistë), prandaj në ketë pjesë të fundit të shkrimin dua t’i drejtohem kësaj kategorie. Nuk e kam të qartë si ndihet mjeku nga Prishtina, gjithmonë nëse një mjek i tillë ekziston, kur Milaimi thotë “mjeku nga Prishtina më tha, nuk ke nevojë për ilaqe por shko në mal dhe fol me lisat.” Sistemi shëndetësor i Kosovës duke filluar nga personeli më i thjeshtë mjekësor në Krushë të Madhe e deri tek Prof. Doktori në fakultetin e Mjekësisë, si e ndjen veten kur sheh në media artikulimet e Milaimit se: “Çdo natë komunikoj me të vdekurit, pi duhan me ta. I kam marrë duhanin, i kam thënë si nuk çohesh me pi duhan, ja kam marrë duhanin. Çdo ditë më thonë a të kujtohet kur ma more duhanin? …atëherë një stekë bënte 100 marka! E shoh trupin e tijna, vjen trupi e shoh, flas me ta. Dy herë nana më ka nxanë tu folë me të vdekurit!”
Ajo që mund të them për momentin është se gjendja e Milaimit është një këmbanë alarmi për çdo mjek dhe një turp per të gjithë qeveritarët të këtyre 21 viteve në Kosovë.
Tani disa fjalë dhe pyetje për çetën e “patriotëve” të Tiranës: Si ndiheni kur Milaimi flet për kasetën dhe thotë se: shqiptari i Shqipërisë nuk i jepte pesë pare? Po kur thotë se “më ka rrahur njësia speciale e policisë së Shqipërisë me arsyetimin se jam shka?” Po kur thotë se “më kanë que në spital, më kanë nxjerrë gurët prej veshkave, dhe kur kam ardhur në vete më kanë dorëzuar në UÇK?” Pse nuk filloni hetimet për këto pretendime të Milaimit? Apo ky hetim nuk ju nxjerrë gjë në dritë për zgjedhjet e 25 Prillit e nuk ju shërben për të mbyllur megaskandalin me inceneratorët?
Cili nga ju të çetës së “patriotëve” mund të më gjejë në Kukës një banesë 4 katëshe në oborrin e të cilës të ulet natën një helikopter, bazuar në atë që Milaimi thotë: se “Lulzim Basha ka ardhë me helikopter në orën 6 të darkës dhe është ulur në oborrin e banesës ku unë rrija?” Nesë nuk e gjeni banesën të paktën gjeni datën e krijimit të UNMIK-ut sepse Milaimi thotë se ata e kanë takuar atë natë në Kukës.
Duket se çetës së “patriotëve” të Tiranës nuk i intereson as shëndeti i Milaimit dhe as kaseta e tij. Sepse së pari nëse çeta do të kishte interes për kasetën ajo shpejt do të zbulonte se ka disa njerëz që janë gjallë sot dhe që kanë qenë atë ditë me Milaimin kur janë bërë filmimet dhe kanë udhëtuar së bashku me të për në Kukës. Njëri prej tyre thotë se kasetën në fillim ja kemi dhënë Hektor Pustinën, ndërkohë ky i fundit për Lapsi.al thotë “Ai (Dashamir Peza) ra i pari në kontakt me Bellanicën dhe më kujtohet që e mori kasetën në një furrë buke.” Atëhere, ku është Lulzim Basha këtu?! Së dyti nëse çeta do të kishte interes për kasetën ajo do të reagonte në momentin kur Dashamir Peza e qartësoi historinë e kasetës dhe të Lulzim Bashës. Dashamir Peza foli qartë dhe pastër dhe çeta heshti! Ajo heshti në lidhje me çfarë tha Z. Peza, por ajo nuk e pushoi aksionin kundër Lulzim Bashës. Një ditë pasi foli Z.Peza, një analist ndryshoi trendin e sulmit, nga kaseta kaloi tek transkripti. Ai filloi të tundte para mediave një transkriptim nga gjykata e Hagës. Transkripti shërbeu si ushqim i mirë për T.Ballën për të formuluar dhe bombarduar publikun me dhjetëra pyetje kundër Lulzim Bashës. Pyetje të tilla si: Pse “përkthyesi” Lulzim Basha nuk ishte një përkthyes i listuar tek lista zyrtare në Gjykatën Hagës? Me çfarë statusi gjendej Lulzim Basha në dhomën ku pyetej shoqëruesi i Rugovës? Pse Adnan Merovci u pyet nga gjykatësi për Lulzim Bashën dhe statusin e tij? I gjithë lumi i pyetjeve u formulua me qëllim për të dëmtuar dhe shpartalluar Lulzim Bashën në sy të publikut. Në fakt seti i pyetjeve të formuluara nga numri dy i partisë në qeverisje krijoi një opinion krejt tjetër dhe në një vend tjetër, në Serbi dhe tek avokatët e Vlastimir Djordjevic, ish-Zëvendësministër i Brendshëm i Serbisë. Atje krijuan opinionin se gjyqi ndaj Vlastimir Djordjevic ka qenë me dëshmitarë të manipuluar nga Lulzim Basha, e ky është sherbimi më i mirë që i bëhet një krimineli. Çdo njeriu që nuk është dakort me opinionin tim, me mirësjellje do i sugjeroja që së bashku t’i kërkojmë analistit të publikojë të gjithë transkriptet e dëshmitarëve në Gjykatën e Hagës që ka përkthyer Lulzim Basha. Publikimi i gjithë transkripteve, që lehtësisht mund të merren nga arkivi elektronik, do të krijonte një opinion shumë më të drejtë e më të qartë për rolin e Lulzim Bashës si përkthyes. Çetës së “patriotëve” aspakt nuk i intereson publikimi i të gjithë transkripteve sepse do rezultonin në disfavorin e aksionit të tyre politik. Nga publikimi i tyre Lulzim Basha do të rezultonte si shqiptari me kontributet më të mëdha në Gjykatë të Hages kundër Millosheviçit e bandës së tij.
Më sipër citova analistin që synoi të ndryshonte trendin e sulmit, e nga kaseta ta kalonte tek transkriptimi ndërsa në vijim disa fjalë për gazetarin që mori rrugën deri në Kukës për të mashtruar publikun në mënyrën më banale dhe të paskrupllt. Gazetari mori godinën e ish Këshillit të Rrethit nga një kronikë e AP (Associated Press) dhe e paraqiti si godinë të prokurorisë në të cilën donte të hynte Milaim Bellanica për të takuar Lulzim Bashën. Një mashtrim i pastër! Kuksjanët dinë të njohin godinat e institucioneve të tyre dhe qeshin me kronikën gënjeshtër të gazetarit.
Autori ka qene Ish Kryetar i Rrethit Kukës në vitin 1999