Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tha se masat aktuale anti COVID do të qëndrojnë të paktën deri më 1 shkurt
Në një intervistë për “Report Tv”, Brataj tha se autoritetet janë në proces monitorimi të vazhdueshëm dhe në varësi të situatës merren edhe vendimet.
“Modeli që ne kemi krijuar është miks mes modeleve të të gjithë vendeve të tjera. Unë mendoj se deri më 1 shkurt patjetër do të kemi këto masa. Do të shohim se çfarë ndodh me indikatorët e sëmundjes. Dhe nuk mund të shprehemi për një periudhë të gjatë. Por me këto masa nuk mendoj se janë agresive që të pengojnë aktivitetet e tjera. Ndaj më mirë të rrimë në këto masa”, tha Brataj.
Ndërkohë, ndërsa u ndal tek varianti i ri i COVID, Brataj tha se fatmirësisht nuk është më agresiv dhe se nuk ka rrezikshmëri të shtuar.
“Nuk është më agresiv për fatin e mirë. Edhe me këto variacionet e reja nuk ka rrezikshmëri të shtuar. Nuk ka ndryshuar as virulenca, përkundrazi kemi raste pak më të lehta se vitin e kaluar”, shtoi Brataj.