Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg drejtorin e Kadastrës Ervin Nelaj. Drejtori i kadastrës u arrestua dy ditë me parë nga policia e Beratit, me urdhër të prokurorisë së Posaçme.
SPAK në bashkëpunim me policinë e Beratit e ka hetuar për 9 muaj kreun e kadastrës. Sipas institucionit të akuzës, janë siguruar prova se shtetasi Ervin Nelaj, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Berat.
Nelaj në bashkëpunim me punonjës të tjerë në këtë institucion, kanë marrë në disa raste përfitime monetare të parregullta, me qëllim për të kryer veprime që lidhen me detyrën e tyre, për legalizimin e objekteve informale dhe regjistrimin e titujve të pronësisë.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, mbi bazën e referimit penal të kryer nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, ka filluar proçedimin penal nr.136 viti 2020, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 244, 259 e 25 të Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera për këtë proçedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi Ervin Nelaj, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Berat, në bashkëpunim me punonjës të tjerë në këtë institucion, kanë marrë në disa raste përfitime monetare të parregullta, me qëllim për të kryer veprime që lidhen me detyrën e tyre, për legalizimin e objekteve informale dhe rregjistrimin e titujve të pronësisë.
Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.10, datë 26.01.2021 të Gjykatës Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:
Caktimin ndaj shtetasit Ervin Nelaj të masës së sigurimit personale “arrest ne burg” e parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 259 e 25 i Kodit Penal.
Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat kanë ekzekutuar në datën 26.01.2021 masën e sigurimit personale të vendosur ndaj personit nën hetim të mësipërm.
Hetimet paraprake për këtë proçedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.