Tashmë është e qartë se një nga pikat më të forta të Edi Ramës, që në opozitë, por veçanërisht gjatë 8 viteve në qeverisje, ka qenë lobimi i fuqishëm me segmente të ndërkombëtarëve dhe veçanërisht brenda Bashkimit Europian.
Asnjëherë nuk u bënë publike “katakombet”, lidhjet, financat apo njerëzit të cilët e krijuan këtë rrjet, i cili më së shumti ka shërbyer për të lustruar realitetin në Shqipërinë e Rilindjes, se sa për të ndihmuar vendin.
Por ky lobim i fuqishëm i Ramë me komisionierët përgjegjës për Shqipërinë, me europarlamentarë të shumtë, deputetë të caktuar në Bundenstag etj, apo edhe diplomat këtu në Tiranë, nuk ka mundur dot që gjithsesi të prodhojë më shumë se 4 shfaqje teatrale, me shampanjë të hapur nga kryeministri.
Negociatat hapen në 3D, por nga ana tjetër nuk marrin viston nga qeveritë e BE-së, të cilat madje, vit pas viti, i kanë shtuar edhe më shumë kushtet në proporcion të drejtë, me rritjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë në vendin tonë.
Shembulli më tipik, më skandaloz dhe lakuriq i investimit të Ramës për të përdorur ndërkombëtarët në funksion të bojatisjes së qeverisjes së tij është, ai ish-raportuesit për Shqipërinë në parlamentin e BE, Knut Fleckenstein.
Pasi nuk u zgjodh dot as deputet në zgjedhjet e fundit për parlamentin europian, ai u strehua dhe u punësua nga Edi Rama në prapa-dhomën e Gramoz Ruçit, si këshilltar për integrimin.
Fleckenstein, i cili vinte nga radhët e social-demokratëve gjerman dilte hapur si një mbështetës i flaktë i qeverisë së Edi Ramës dhe raportet e tij të njëanshme, kanë pasur gjithmonë kontestime nga qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Vetëm pak pasi kishte ardhur në pushte, që nga fillimi i vitit 2014, Edi Rama, përdori për lobim kompaninë e bashkëshortes së ish kryeministrit britanik, Tony Blair, por nuk dihet se si, nga kush dhe për çfarë punësh lobuese, paguhet familja Blair.
Një tjetër figurë e rëndësishme e BE-së që kishte rënë në këtë rrjet ishte edhe ish-shefja për politikën e Jashtme të BE-së, Federika Mogherini.
Kimia e çuditshme e saj me Edi Ramën nuk u kuptua kurrë (përveç Sorosit) se nga vinte dhe për çfarë interesash, por ajo përveç rolit të rrezikshëm që luajti për çështjen e kufijve të Kosovës në bashkëpunim me aktorët rajonalë, Vuçiç-Thaçi-Rama, ishte edhe mbrojtësja më e flaktë në BE e qeverisë së Ramës, edhe kur skandalet e saj mbushnin me kutërbim krimi dhe korrupsioni gjithë Europën.
Shërbimin e fundit ajo e bëri kur erdhi personalisht në Tiranë, më 17 prill të vitit 2018, duke sjellë raportin skandaloz të KE-së plot lule e lajle sipas të cilit, Shqipëria që sapo kishte kaluar një fushatë të paprecedentë të kultivimit dhe trafikimit të drogës dhe kapjen në flagrancë të ministrit të Brendshëm me trafikantët; e meritonte hapjen e negociatave pa asnjë kusht.
Të gjithë këta kishin ndërlidhjen e tyre në Tiranë, ambasadoren Romana Vlahutin, e cila e mbylli karrierën pa lavdi, njësoj si shefat e saj pro Ramë.
Por le të vazhdojmë me të rejat e fundit nga rrjeti lobues ndërkombëtar i Edi Ramës, i cili duket se po shkërmoqet rast pas rasti.
Në Tiranë, në 24 maj 2018, një aeroplan i Austrian Airlines zbret në kryeqytetin shqiptar, me Mark Hauptmann, deputet i Bundestagut Gjerman, në bord.
Nga aeroporti ai duhet të shkojë direkt në një takim me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Ministria e Jashtme gjermane e kishte këshilluar më parë atë që të merrte me vete ambasadorin gjerman në këtë takim. Sidoqoftë, siç raporton media gjermane “De Tagesspiegel”, Hauptmann e refuzon këtë, sepse sipas tij ky ishte një takim “gjysmë zyrtar”.
Pak para nisjes nga Gjermania, politikani i CDU morri një mesazh nga udhëheqja e grupit parlamentar CDU/CSU. Atij “urgjentisht” i kërkohet që të shoqërohet nga ambasadori gjerman në takimin e tij me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, por deputeti duhej të kishte një arsye të majme që refuzoi.
Hauptmann dha dorëheqjen së fundmi nga mandati i tij parlamentar, pasi u kap në një skandali korruptiv me qeverinë autokratike të Azerbajxhanit.
Mediat gjermane shkruajnë gjithashtu se historia e “ekskursionit” të Hauptmann në Shqipëri tregon, se si disa deputetë gjermanë mbajtën një marrëdhënie shumë të veçantë, jo vetëm me regjime si ai Baku, të cilat shkonin përtej kontakteve politike normale.
Një muaj para vizitës së Hauptmann në Tiranë, Rama takoi Kancelaren Merkel në Berlin sepse pavarësisht detyrave dhe kushteve që nuk kishte realizuar, ende shpresonte që bisedimet e pranimit në BE të fillonin shpejt. Por kancelaria Angela Merkel, nuk e toleroi.
Në Gjermani, kërkohej miratimi i Bundestagut për një vendim të tillë, por ekzistonte skepticizëm, veçanërisht midis anëtarëve të CDU/CSU. Ata shihnin deficite të mëdha në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Një nga kritikët kryesor ndaj kryeministrit shqiptarë në Grupi Parlamentar CDU/CSU, Gunther Krichbaum, u sulmua personalisht nga mediat pranë Edi Ramës.
Si pasojë e këtij sulmi të paprecedentë, deputetët e Unionit CDU/CSU më pas anuluan një udhëtim në Shqipëri. Nga ana tjetër, Hauptmann zhvillon një bisedë me Ramën në këtë situatë të tensionuar, në të cilën do të preferonte të mos kishte ambasadorin me vete.
Më vonë ai nuk paraqiti më kërkesa për udhëtime biznesi në Bundestag, por përsëri udhëton në Shqipëri privatisht disa herë dhe kalon pushimet e tij këtu, të paktën një herë.
Media gjermane shkruan se është e paqartë, se kush i pagoi këto udhëtime, kurse vetë Hauptmann nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetës Tagesspiegel.
Në shtator 2019, disa ditë para votimit vendimtar në Bundestag për negociatat e pranimit të Shqipërisë në BE, Hauptmann i bëri edhe shërbimin e fundit Edi Ramës. Botoi një artikull mbështetës në “Focus”, në të cilin bën fushatën pro hapjes së negociatave me Shqipërinë.
“Kryeministri Edi Rama ka një plan të qartë reformash dhe masa për të luftuar në mënyrë efektive krimin e organizuar dhe korrupsionin,” shkruante ai.
Gjithashtu në ditët para votimit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, vizitoi Berlinin me ftesë të Hauptmann ku organizoi një darkë në një restorant të shtrenjtë e cila u braktis nga drejtuesit parlamentarë gjermanë njëzëri.
Hauptmann ishte për herë të fundit në Shqipëri në tetor 2020, pavarësisht krizës së koronës. Në këtë udhëtim, gjithashtu, ai ka takuar privatisht Edi Ramën.
Edhe ish-deputeti i CDU-së Nikolas Löbel, i cili edhe ky së fundmi ka dhënë dorëheqjen nga mandati i tij për skandalin e maskave, gjithashtu tregonte një interes “të çuditshëm” për Shqipërinë.
Löbel këmbëngulte në grupin e tij parlamentar në Bubdstag që të vinte në Tiranë dhe të takonte Ramën. Me deklaratat e tij u shfaq hapur pro tij, pavarësisht kritikave që kishte qeveria gjermane dhe grupi parlametar ku merrte pjesë.
Kjo është vetëm maja e ajsbergut për ndërkombëtarët që kanë lobuar dhe kanë ndihmuar, Edi Ramën, që të paraqesë një realitet ndryshe në Shqipërinë e drejtuar prej tij.
Por ajo që i bashkon që të gjithë emrat në këtë vëzhgim, janë skandalet dhe aferat, për të cilat ata më pas janë përzënë nga politika dhe rrezikojnë edhe më shumë.
Nuk dihet nëse Edi Rama i gjeti të tillë, apo gjatë rrugës ishte Edi Rama që i mësoi e i bëri si vetja këta ndërkombëtarë që deri dje kryeministri i përdorte si gjethe fiku për përdorim politik të brendshëm!