Nga mediat kosovare është mësuar se deputetja e VV-së, Adriana Matoshi është infektuar me COVID-19, por megjithatë ajo është parë në seancën e të shtunës në mbrëmje në Kuvend.
Edhe zyrtarë të Kuvendit, në kushte anonimiteti kanë thënë se “deputetja Matoshi vazhdimisht ka dalë nga seanca dhe gjendja e saj shëndetësore dje nuk ka qenë më e mira”.
Me gjithë situatën e rënduar shëndetësore, ajo është detyruar të dalë në Kuvend për shkak të votave për Vjosa Osmanin.
Po ashtu, në hyrje të Kuvendit, para fillimit të seancës, kanë dështuar edhe masat e kontrollit nga IKSHP për të matur temperaturën dhe siguruar kushtet e nevojshme pandemike për shkak të numrit të madh të deputetëve dhe hapësirës jo të mjaftueshme të Kuvendit.
Mediat kosovare kanë kontaktuar me Matoshin, e cila e ka mohuar kategorikisht se është infektuar me virus.
“Jo nuk është e vërtetë, e kam bërë testin, dy herë, kam dalë negativ. Vetëm jam e ftohur”, ka thënë ajo.







